Çipa: Pandemia po ndikon në financat e medias shqiptare

Pandemia e Covid-19 është një kërcënim i madh edhe për financat. Media shqiptare po nxjerr problemet e para dhe këtë e ka konfirmuar kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa.

“Ne jemi të shqetësuar pasi shohim se në të gjithë skenën mediatike të vendit do të ketë një ndikim të fuqishëm negativ nga ana financiare. 70% e stafeve redaksionale dhe strukturat e programacionit në mediat audovizive kanë ndryshuar. Ka 13 ditë që shtypi i shkruar ka ndaluar së qarkulluari dhe botuari dhe si rrjedhojë stafet e tyre janë të gjitha në karantinë, në shtëpi. Ne si Union i Gazetarëve Shqiptarë konstatojmë se janë rreth 6120 punonjës aktualisht në skenën mediatike, të cilët numerikisht janë reduktuar dhe pasojat nuk janë vetëm mbi ata individualisht, por edhe mbi pjesëtarët e familjeve të tyre. Në muajin e ardhshëm pasojat mund të jenë edhe më të rënda. Rrezikojnë shumë familje të mos përballojnë kostot e jetesës dhe duhet ta them që një pjesë e mirë e reporterëve në median shqiptare banojnë me qira dhe kanë detyrime financiare për kreditë e banesave të tyre. Unë këtu flas për shumicën e stafeve në mjedisin mediatik që jetojnë në kushte minimaliste, nuk flas në emër të atyre gazetarëve që mund të përfshihen te pjesa e oligarkëve”,-tha për Euronews.

I pyetur rreth reagimit që ka patur Unioni i Gazetarëve për këtë situatë Çipa u shpreh se para 8 ditëve ka patur një deklaratë drejtuar qeverisë për të përfshirë median në paketën e ndihmës financiare për shkak të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore e pandemisë. Ai ka bërë një paralelizëm duke thënë se përfaqësues të organizatave ndërkombëtare me qendër në Gjenevë dhe në Bruksel janë duke negociuar me qeveritë kombëtarë për ndihmesën e medias në kushtet e një pandemie dhe një krize të tillë globale.

SHKARKO APP