Civici: Nuk dihet kur ekonomia do kthehet në normalitet, duhet paketë e tretë e një plan 3-4 vjeçar rimëkëmbjeje
Në një intervistë për Ora News, ekonomisti Ardian Civici u shpreh se është e vështirë që të thuhet se kur ekonomia do t’i kthehet normalitetit.
Civici tha se shtatori ka filluar me një ekonomi botërore të dobësuar dhe të çoroditur, duke vënë në pikëpyetje procesin e globalizimit.
Ardian Civici: E gjithë bota është në pritje të një vaksine që nuk pritet të jetë e aksesueshme për botën para dhjetorit apo janarit. Askush nuk mund të thotë kur shoqëria dhe ekonomia do të kthehet në normalitet, por e vështirë të thuhet se do të kthehet shpejt normaliteti që ishte para shkurtit. E gjithë ekonomia globale po bën një bilanc dhe ka të dhëna që po rëndohet kriza, pavarësisht masave dhe paketave ndihmëse. Shtatori ka filluar me një ekonomi botërore të dobësuar dhe të çoroditur. Procesi i globalizimit që u duk si e ardhmja ka ardhur duke u vënë në pikëpyetje, duke menduar për nacionalizimin e ekonomive.
Referuar vendit tonë, Civici theksoi se ekonomia jone varet nga ajo italiane dhe greke më së shumti dhe shumica e bizneseve në vend kanë frikën e mos rinovimit të kontratave.
Ardian Civici: Në rastin tonë edhe ne jemi të ndikuar nga kjo situatë, sidomos nga ekonomia greke dhe italiane. Shumica e bizneseve kanë vështirë për ripërtëritjen e kontratave që kanë pasur. Shumë biznes në vend po përballen me situatë që mund të çojnë në falimentin e tyre për shkak të problematikave dhe mos ripërtëritjes së kontratave. Borxhin e ri që morëm të detyruar nga goditja ekonomike, u detyruam që ta përdorim për të kaluar këtë situatë të vështirë me tërmetin dhe pandeminë. Duhet të presim dy vitet e ardhshme që ekonomia t’i rikthehet rritjes tradicionale, në mënyrë që të kemi mundësi që të shlyejmë borxhin, por të mbajmë edhe shpenzime publike që lidhen me punësimet dhe investimet publik.
Civici u shpreh se vendi ynë ka nevojë për financim urgjent për shëndetësinë dhe arsimin, si dhe për një paketë tjetër ndihme dhe një plan afatmesëm rimëkëmbjeje.
Ardian Civici: Ashtu sikurse po theksohet për vendin tonë, ne kemi nevoja urgjente për ta financuar sistemin shëndetësor dhe atë arsimor, si dhe disa sektorë të tjerë që janë çelësi për përballimin e një vale tjetër. Ne jemi në një moment që duhet të përgatisim planin e rimëkëmbjes. Përtej dy paketave A dhe B nuk patëm një paketë C, që do të ishte në mbështetje të biznesit, kryesisht atij të vogël e të mesëm. Tani është koha që të kemi një plan rimëkëmbje 3-4 vjeçar të mirë menduar, cili do ta ndihmojë ekonominë shqiptare që t’i kthehet normalitetit. Ky plan nuk mund të mbështetet vetëm te paratë publike, por të bazohet edhe në tendencat e shumta që kanë vendet e botës. Rritja ekonomike post-Covid duhet të jetë edhe më cilësore, jo vetëm një rritje nga halli.