Ç’ka parasheh plani i paqes për Ukrainën i negociatorit të SHBA-së, sipas dokumentit të think-tank “America First”
Ka tërhequr vëmendje plani i paqes për Ukrainën i propozuar nga Keith Kellogg, një gjeneral në pension i ushtrisë amerikane dhe kandidatura e përzgjedhur nga Donald Trump për të shërbyer si i dërguari i posaçëm për luftën Ukrainë-Rusi.
Kellogg, i cili ka shërbyer më parë si shef i stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit, është një figurë kyçe në vizionin e presidentit të ri amerikan për t’i dhënë fund luftës, shkruan skynews.
Trump ka premtuar se do të ndalë luftën në ditën e parë të kthimit në zyrë, megjithëse pa dhënë detaje konkrete mbi mënyrën se si do ta realizojë këtë. Megjithatë, plani i Kelloggit, i publikuar në një dokument politik i “think tank” pro-Trump “America First”, pritet të shërbejë si themeli i strategjisë së administratës së re për Ukrainën.
Kellogg ka deklaruar se bota ndodhet në një pikë të rrezikshme, “në prag të Luftës së Tretë Botërore”, duke e theksuar rëndësinë e veprimit të shpejtë dhe të vendosur për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Ky zhvillim tregon për fokusin që administrata e mundshme e Trumpit do të ketë në diplomaci dhe negociata për të zgjidhur krizën.
Ndërsa detajet e planit të paqes nuk janë bërë ende plotësisht publike, ai përbën një temë që do të diskutohet gjerësisht në arenën ndërkombëtare.
Dokumenti, i bashkëshkruar nga Fred Fleitz, argumenton se lufta ishte një krizë e shmangshme që, për shkak të “politikave të paafta” të administratës së Joe Bidenit, e ka “ngatërruar Amerikën në një luftë pa fund”.
Ai pohon se për t’i dhënë fund luftës nevojitet “udhëheqje e fortë që vendos Amerikën e Para” dhe kundërshton dërgimin e armëve në Ukrainë, duke e quajtur këtë “një sinjalizim të kushtueshëm të virtytit” dhe jo një “politikë konstruktive për të promovuar paqen”.
Plani i Kellogg
Ndihma e ardhshme ushtarake nga SHBA do të kushtëzohej me pjesëmarrjen e Ukrainës në bisedime paqeje me Rusinë;
Për të sjellë Putinin në tryezën e bisedimeve, liderët e NATO-s duhet të ofrojnë shtyrjen për një periudhë të gjatë të anëtarësimit të Ukrainës në NATO;
Ukraina nuk do të kërkohej të heqë dorë nga qëllimi për të rimarrë territoret e saja, por do të kuptonte që një zgjidhje diplomatike “ndoshta nuk do të ndodhë para largimit nga pushteti të Putinit”;
Derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare paqeje e pranueshme për Ukrainën, SHBA dhe aleatët e saj do të angazhohen të mos heqin sanksionet apo të normalizojnë marrëdhëniet me Rusinë;
Moskës mund t’i ofrohet një lehtësim i pjesshëm i sanksioneve në këmbim të respektimit të një armëpushimi, krijimit të një zone të çmilitarizuar dhe pjesëmarrjes në bisedime paqeje;
Duhet të vendosen taksa mbi shitjet e energjisë ruse për të financuar rindërtimin e Ukrainës.
Ndyrshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale. /Telegrafi/