”Çmenden” çmimet në Shqipëri, nis blerja me shumicë
Në Shqipëri ka nisur beteja për mbijetesë, edhe pse lufta po bëhet në Ukrainë. Rritja e çmendur e çmimeve ka prekur gjithçka, deri tek ushqimet bazë. Në çdo dyqan dhe market ndihet shqetësimi i qytetarëve. E pamundur të përballojnë këtë rritje çmimesh, thonë ata.
Frika nga një tjetër luftë, ka boshatisur rezervat me miell në magazinat e marketeve të mëdha. Prej ditësh edhe në raftet e dyqaneve ka mungesa të miellit, ndërsa nga pronarët e këtyre bizneseve janë afishuar njoftime të pazakonta që duket se paralajmërojnë ditë më të vështira; “mos blini më shumë se 5 pako”.
Tregjet e fruta-perimeve, boshatisur prej ditësh nga blerësit, janë dëshmi e asaj që po përjetojnë qytetarët në vend, rritjen më të madhe të çmimeve ne dy dekadat e fundit.