Çmenduri në Durrës, qiratë arrijnë gati sa dyfishi i bonusit

Në këtë tragjedi natyrore, janë njerëzit që po e thellojnë më shumë. Pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit që la 23 viktima në Durrës, tema kryesore mes qytetarëve është banesa. Sipas një vëzhgimi, në këtë qark janë rritur qiratë, sidomos për katet e para. Shtëpia e Anilës afër pallatit të Sportit në Durrës u shpall e pabanueshme pas tërmetit. Fillimisht ajo u vendos tek të afërmit, në një nga fshatrat e Durrësit. Megjithatë këto ditë është kthyer sërish në shtëpinë e saj të pabanueshme, me mure të çara, pasi i dështuan kërkimet për më shumë se dy javë për shtëpi me qira. Përveçse ishte shumë e vështirë të gjeje një apartament me qira, ajo u përball me çmime shumë të larta, ku për një hyrje 1+1 duhej të paguante një qira mujore prej 300 euro, të cilën nuk mund ta paguante as me bonusin e qirasë dhe as me të ardhurat, rrogën dhe pensionin e dy prindërve.

Bonusi i qirasë për 3 persona është 20 mijë lekë në muaj, sipas specifikeve të Bashkisë. Për më tepër, ajo i përket grupit të dytë të të konsideruarve si të pastrehë, listat e të cilëve nuk kanë dalë ende. Krenar Bardhi, agjent i pasurive të paluajtshme i ”Remax” në Durrës, tha për ”Monitor” se aktualisht po ndodh një rritje artificiale e qirave në qytetin bregdetar dhe nuk kanë qenë të pakta edhe rastet kur pronarët kanë tërhequr pronat nga portofoli i agjencive, për t’i dhënë vetë me një çmim më të lartë.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, Krenar Bardhi thotë se ka pasur një kërkesë të shtuar për shtëpi me qira. Shumë qiramarrës po shpërngulen nga zonat periferike ku kanë qenë qiramarrës prej vitesh, siç është zona e Kënetës dhe kishte qira të ulët, në zonat më pranë qendrës ku qiraja është relativisht më e lartë. Sipas tij kjo, gjithashtu po reflektohet si rritje çmimi.

Arjan Gjuzi, agjent i pasurive të paluajtshme i Century 21, thotë se ka pasur një kërkesë në rritje për shtëpi më qira pas situatës së krijuar, por qiradhënësit që kanë rritur në mënyrë artificiale në përgjithësi nuk kalojnë nëpërmjet agjencive të pasurive të paluajtshme. Duke qenë se është rritur kërkesa kanë ngelur shumë pak shtëpi të lira të pazëna. Sipas Gjuzit shtëpitë e lira kanë një qira relativisht të lartë, të cilat kanë qenë me këtë çmim që para tërmetit. Ai thotë se bëhet fjalë për prona elitare, të vendosura në pallate të ndërtuara mirë dhe me një mobilim luksoz. Erin Reka, një tjetër agjent i ”Century21”, thotë se në përgjithësi nuk kanë pasur ndryshime të çmimit pronat që jepen nëpërmjet ndërmjetësuesve. Sipas tij çmimet në qendër të Durrësit kanë qenë 200-250 euro, por pas tërmetit kanë mbetur vetëm ofertat e larta.

Këneta zona më e lirë, Vollga më e shtrenjta

Zona e Kënetës shënon edhe ofertat më të lira për sa i përket shtëpive me qira. Agjencitë e pasurive të paluajtshme pohojnë se në këtë zonë çmimet varojnë nga 12,000 deri në 18,000 lekë në muaj. Në zonat më pranë qendrës, afër Spitalit të Durrësit, tek Stadiumi, apo te pallati i Sportit, qiratë vlerësohen të jenë rreth 20,000 lekë. Në zonën e qendrës qiratë janë rreth 25,000 lekë. Në zonën e shëtitores Taulantja, apo siç njihet ndryshe Vollga, çmimet e qirave janë më të lartat në qytet, ku sipas agjencive të pasurive të paluajtshme qiraja mujore varion nga 250 euro deri në 400 euro në varësi edhe të mobilimit të shtëpive. Sikurse pohojnë edhe agjencitë e pasurive të paluajtshme, zona e Currilave ka qenë shumë pak ose aspak e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, fakt që ata e lidhin me terrenin disi më të qëndrueshëm. Po ashtu edhe në zonën e Vilës së Zogut.

85% të kërkesave janë për shtëpi private apo në kate të ulëta

Tërmeti u shoqërua me frikë dhe panik te qytetarët, të cilët kërkojnë patjetër që të vendosen në shtëpi private apo në kate të ulëta. Krenar Bardhi thotë se 85% të kërkesave të reja janë për shtëpi private ose në rast se është pallat nuk duan të banojnë më lartë se kati i katër i një godine. Nuk kanë munguar as kërkesat për të blerë shtëpi private. Arjan Gjuzi thotë se ka pasur interesim për blerjen e shtëpive private. /Monitor/

SHKARKO APP