Çmimet janë rritur, por inflacioni në Shqipëri ishte ndër më të ulëtit në Europë në mars
Ndonëse çmimet janë rritur me ritme të shpejta, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të mallrave të konsumit për një shportë mallrash, është ndër më të ulëtit në Europë.
INSTAT, raportoi se ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Mars 2022 është 5,7 %, më i ulët sesa mesatarja e Bashkimit Europian prej 8%.
Inflacioni në shtetet e Europës është ndikuar ndjeshëm nga shtrenjtimi i energjisë dhe gazit, ndërsa në Shqipëri ndikimin kryesor në inflacion e luajnë çmimet e ushqimeve, për shkak të peshës së madhe që ato zënë në shpenzimet e një familjeje, me 42% të totalit, nga 13% që ëhstë mesatarja e vendeve të BE-së.
INSTAT raportoi se në vend rritja më e madhe e çmimeve prej 12,8 % vërehet në grupin “Transporti”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,6 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 4,3 %, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,1 % secili, “Veshje dhe këpucë” me 2,0 %, “Komunikimi” me 1,8 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 1,2 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,0 % dhe “Shërbimi arsimor” me 0,9 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Shëndeti” u ulën me 0,2 %.
Në muajin Mars 2022, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 2,4 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Transporti” me 6,2 %, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,9 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,6 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,4 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,9 %, “Hotele kafene dhe restorante” me 0,8 %, “Shërbimi arsimor” me 0,6 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,5 % dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,2 %.
Në mars, inflacioni i matur nga INSTAT rezultoi po 5.7%. Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2002 dhe është shumë më i lartë se objektivi i shënjestruar prej 3% i Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit, që si përgjegjësi kryesore ka ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, në një përpjekje për të frenuar inflacionin, pak ditë më parë vendosi rritjen e normës bazë për herë të parë në një dekadë, duke e çuar në 1%, nga niveli minimal historik prej 0.5% që ishte deri tani./Monitor