Çmontohen dy grupe kriminale në Itali, në pranga edhe shqiptarë

Policia italiane njofton se ka vënë në pranga 13 persona, mes të cilëve edhe disa shtetas shqiptarë, të cilët akuzohen për trafik droge. Konkretisht bëhet fjalë për një sasi lënde narkotike, që mbërriti në portin e Barit nga vendi ynë e që kishte për destinacion disa nga sheshet kryesore të trafikut të drogës në Crotone, Catanzaro dhe bashkitë e dy provincave kalabreze.

Në kuadër të këtij aksioni të policisë italiane dhe forcave speciale anti-drogë, u çmontuan dy grupe kriminale, njëra e përbërë nga shtetas shqiptarë dhe tjetra nga italianë të komunitetit rom të Catanzaro.

Hetimet u kryen me përgjime si dhe me shërbime specifike vëzhgimi, kontrolli dhe hijezimi, të cilat kanë çuar në kontrolle të shumta në territor. Një kontribut të mëtejshëm në hetime, dhanë deklaratat e disa bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët kishin përshkruar një tablo të saktë të aktiviteteve të paligjshme në fushën e drogës nga anëtarët e familjeve rome në zonën jugore.

Në total, gjatë gjithë hetimit, në flagrancë janë arrestuar 34 persona dhe janë sekuestruar mbi 45 kilogramë drogë si heroinë dhe marihuanë, 18 mijë euro para të gatshme, rreth 70 kilogramë lëndë prerëse dhe dy armë të mbajtura pa leje.

SHKARKO APP