Çoçoli: Qeveria duhet të zgjidhë çështjen e naftëtarëve të Ballshit, çmimet po mbahen të larta abuzivisht
I ftuar në RTV Ora, gazetari i ekonomisë, Fatos Çoçoli u shpreh se çështja e pagave të punëtorëve të rafinerisë së Ballshit është një problem i mbartur në kohë.
Ai tha se qeveria i ka të gjitha mundësitë që ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë të përhershme duke plotësuar kërkesat e punonjësve.
Fatos Çoçoli: Pas falimentit të privatit, shteti nuk tregoi interesin e duhur për punonjësit e naftës, edhe pse ata kanë fituar një gjyq, rrogat nuk janë dhënë. Ata janë futur disa herë në greve, duke u bërë shkak për një marrëveshje, por duket se kjo marrëveshje nuk është zbatuar dhe i ka detyruar ata që të dalin sërish në protestë. Ky është një problem i trashëguar që po vijon në këtë periudhë. Kompania që menaxhon rafinerinë e Ballshit ka kontratë me Bankers. Mundësia për të gjetur një zgjidhje është, por ky është një problem i shtyrë në kohë dhe mendoj se qeveria nuk duhet të qëndrojë indiferent në këtë situatë.
Duhet që të arrihet një marrëveshje jo e përkohshme, por të plotësohen të gjitha kërkesat e tyra të trashëguara, për të dhënë një zgjidhje të përhershme. Qeveria i ka të gjitha mundësitë për ta arritur këtë zgjidhje dhe për të plotësuar kërkesat e punonjësve. Nga ana tjetër, çmimi i natës në tregjet globale është ulur dy-fish për shkak të pandemisë. Humbja në këtë rast është shumë e madhe. Megjithatë, për shkak të kostove të ulta të nxjerrjes së naftës në vendin tonë japin mundësi për fitim, së paku për të përballuar pagat e punonjësve.
Referuar çmimet të karburantit në vend, Çoçoli tha se pavarësisht uljes së çmimit në tregun ndërkombëtar gati me 50%, në vendin tonë çmimi pësoi një ulje shumë të vogël duke i mbartur çmimet të larta në mënyrë abuzive.
Fatos Çoçoli: Pavarësisht se nafta prodhohet në vendin tonë, pjesa më e madhe importohet. Kur pas marsit çmimi u bë më i lirë së paku me dy herë, në vendin tonë nuk ndodhi një ulje. Shitësit me shumicë u justifikuan se kishin rezerva me blerjet e mëparshme, por kjo qëndron vetëm për 2-3 javë. Së paku për periudhën e verës, sidomos për turizmin, çmimi duhet të ishte ulur së paku me 25%. Kompanitë i kanë mbajtur çmimet e larta në mënyrë abuzive, duke shënuar një ulje shumë të vogël.