Çollaku: Ortaku i Ramës, Vuçiç, kërcënon Kosovën me luftë! Qeveria të ndërpresë çdo marrëveshje me Beogradin
Ish-zëvendësministri i Jashtëm dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku ka reaguar ashpër lidhur me deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili ka kërcënuar hapur Kosovën me luftë në takimin që ai pati me ambasadorët e Kuintit ku paralelizonte luftën në Nagorno-Karabakh mes Azerbajxhanit dhe Armenisë me atë mes Kosovës e Serbisë.
Vuçiç tha tekstualisht se: “Është më mirë që ta arrijmë më herët se sa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”, duke iu referuar luftës në Nagorno-Karabakh.
Përmes rrjeteve sociale, Çollaku shprehet se në një kohë që ka nisur një proces anti-shqiptar në Gjykatën e Hagës, sot ortaku i Edi Ramës,Vuçiç ka kërcënuar Kosovën me luftë.
“Sot ortaku i Ramës,Vuçiç ka kërcënuar Kosovën me luftë.
Krahasimi me Karabakun, një zonë tjetër lufte, që sot Vuçiç i bëri situatës në Kosovë, shpalos qartësisht se Serbia dhe ata që e drejtojnë, mbetet e njëjta.
Kërcënimi i sotëm, qartësisht është dëshmi se në planet e Serbisë për të zgjidhur situatën në Kosovë parashikohet dhe lufta, ose një ndërhyrje e armatosur.
Kjo ndodh ndërkohë kur Serbia mashtron Perëndimin me procesin e dialogut me Kosovën, ndërsa blen armatim të sofistikuar nga Kina e Rusia.
Kjo ndodh kur Shqipëria, për shkak të ortakërisë mes Ramës e Vuçiç nxiton të firmosë marrëveshje me Serbinë në dëm të Kosovës, duke konsoliduar hegjemoninë serbe në Ballkan.
Qeveria shqiptare në këto kushte duhet të ndërpresë çdo marrëveshje me Beogradin.
Diplomacia e shtetit shqiptar duhet të ngrejë këtë rrezik të destabilizimit të armatosur të Kosovës nga Beogradi me institucionet ndërkombëtare, NATO, OKB, BE, dhe me vendet mike.
Kryeministri i Shqipërisë duhet të ndalë ortakërinë me Vuçiç dhe rehabilitimin diplomatik të Beogradit e të ndalë thikat pas shpinës së Kosovës”, shprehet në reagimin e tij, ish-zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Çollaku.