Çollaku: Rezoluta për genocidin, minimumi që mund të kërkohet, refuzohet nga “miku i Vuçiç”

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike Kreshnik Çollaku, i ftuar në një intervistë për Ora News komentoi vizitën zyrtare në Tiranë të Presidentes në detyrë të Kosovës Vjosa Osmani dhe bojkotimin nga Kryeministri Rama i cili nuk mori pjesë në seancën e Kuvendit.

Çollaku tha se Vjosa Osmani tha të vërtetën e Kosovës aty dhe sipas tij fjalimi i saj i dhimbte Ramës.

Kreshnik Çollaku për Ora News: Vjosa Osmani tha të vërtetën e Kosovës aty. Ajo kaloi disa mesazhe shumë të forta. Për ne të gjithë të tjerët ishte një turp i madh bojkotimi qe bëri Rama por po citoj një shprehje të ish Kryeministrit Berisha që tha ‘Rama në fakt i vuri çmimin vetes atë që meriton’. Fjala e Vjosës i dhimbte Ramës. E kuptoj pse dhemb në Beograd por jo pse dhemb në Tiranë. Fakti që nuk respektoi as protokollin ngre shqetësimin publik se çfarë ka ndodhur që Ramës i dhëmbin të njëjtat çështje që i dhembin Vuçiçit.

Çollaku tha se Kosova nuk ka nevojë për Shqipërinë që të mbytet nga dashuria për Beogradin, duke nënkuptuar raportin e ngushtë të Kryeministrit Rama me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Kreshnik Çollaku për Ora News: Bashkëpunimi i fshehur midis Ramës dhe Vuçiç është një regres historik. Një dëm kolosal që i shkaktohet interesave të shqiptareve. Janë shkaktuar dëme që janë dashur dekada të luftojmë me armë e me politikë. Kosova nuk ka nevojë për Shqipërinë që të mbytet nga dashuria për Beogradin. Dhe as për një kryeministër që të dominohet nga Beogrado mania.

Çollaku theksoi se kërkesa që parlamenti shqiptar të miratojë rezolutën duke denoncuar genocidin serb është minimumi i minimumit që mund t’i kërkojë.

Sipas tij është e tmerrshme që ky minimum i minimumit refuzohet nga ky ‘mik i Vuçiç’.

SHKARKO APP