Covid-19/Deputeti i PS-qeverisë: ”Plagosje me paramendim” në bregdetin e Jonit
Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i PS-së, Ilir Beqaj thekson se lufta me Covid-19 fitohet në territor. Përmes një postimi në Facebook, aithekson se që këtë javë duhet të ketë kontrolle të rrepta në jug të vendit, në lokalet pranë plazheve. Sipas tij ato janë kthyer në vatra të rrezikshme infeksionesh.
Postimi i plotë
Lufta me Covid-19 është luftë në territor. Beteja kryesore këtë javë është në bregdetin e Jonit. Beach bar dhe club më club. 24 orë në çdo ditë. Duke filluar nga prototipët si Nazar e Folie Marine e të gjithë me rradhë.
Aty po lejohet të ndodhin “plagosje me paramendim”. Aty po sakrifikohet sakrifica 5 mujore e personelit shëndetësor. Aty po nëpërkëmben politikat mbështetëse ndaj grupeve më të dëmtuara nga pandemia.
Babëzisë së pronarëve së atyre bizneseve për të fituar shumë e shpejt në kurriz të shëndetit të shqiptarëve duhet t’i përgjigjemi me forcën e ligjit. Karshillëku i administratorëve të atyre bizneseve për të shkelur ligjin meriton ndëshkimin shembullor. Situatat e paqarta që kalojmë kërkojnë vendosmëri të leadershipit. KOHA ËSHTË TANI!