Covid-19 dhe kurba e çuditshme, çfarë të besojmë? Dasho: Pa numrin R…
Shqipëria po njeh vetëm rritje të rasteve me Covid-19 dhe përgjatë 3 javëve të fundit, rastet ditore kanë qenë afro 100 dhe fatkeqësisht, numri i viktimave në tre çdo ditë. Eksperti i shëndetit publik, Erion Dasho thotë për gazetën “Si”, se Shqipëria asnjëherë nuk ka pasur një kurbë. Sipas tij, në vend ka pasur një grafik që ai e ka quajtur sharra me dhëmb të thyer.
”Tendenca është qartazi në rritje dhe situata duket që po shkon drejt përkeqësimit. Me qëllim që të krijojmë një përshtypje ne si specialistë të kësaj fushe ne nuk shohim vetëm vlerat ditore por shohim mesataret dhe kur sheh mesataret javore ka të paktën që nga mesi i qershorit që numri i rasteve mesatare javore, është në një rritje të vazhdueshme dhe edhe java që kaloi kishte një rritje në raport me atë paraardhësen”.
Sipas epidemiologut, ne kemi një situatë të çuditshme sepse nuk bëhet fjalë (edhe kur sheh një mesatare), për një kurbë, por për një grafik në rritje të vazhdueshme. Për sa i përket përcaktimit të numrit R, Dasho shpjegon se në vendin tonë nuk mund të përcaktohet numri R sepse informacioni që ne kemi është komplet i paplotë.
”Ne testojmë shumë pak, ne kapim vetëm një ajsberg të rasteve që realisht janë duke u infektuar në popullatë, kështu që çdo përpjekje për të përcaktuar R, do të ishte një përpjekje jo në drejtimin e duhur dhe nuk do të prodhonte rezultate të besueshme”.