Covid-19 drejt ”zhdukjes” në Shqipëri, vera pritet të jetë një sezon i qetë
Ndryshe nga viti i shkuar, ky sezon veror pritet që të jetë më i qetë në lidhje me Covid-19. Uljen e numrit të infektimeve dhe shtrimeve në spital, ekspertët e shëndetësisë e lidhin me imunitetin natyral të tufës por edhe me rritjen e temperaturave.
Mjeku i spitalit infektiv, Edmond Puca, thotë se megjithëse i vogël, ndikimi i vaksinave është ndier, por ka pasur edhe pacientë të hospitalizuar me një dozë anti-covid. ”Aktualisht në spitalin infektiv janë 30-35 pacientë, janë të moshës mbi 60-vjeç”, tha Puca.
Kurse mjeku Alimehmeti thotë se vera pritet të jetë një sezon i qetë. ”Zgjedhjet u kryen në periudhë të favorshme pandemie, pra kurba ishte qartësisht në rënie. Bazuar kjo në terrenin e asaj që ne në fakt nuk dimë që sa % e personave tashmë e ka kaluar”.
Sipas ekspertëve nuk ka vend për panik nga varianti i virusit i shfaqur në Indi. Në më shumë se dy javë numri i të infektuarve nuk ka kaluar mbi 100, ndërkohë që rënie ka patur edhe tek numri i pacientëve në spitale.