Covid-19 i merr jetën Marko Bellos dhe Engjëll Daklit, Topalli mesazhe ngushëlluese
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta sot të ish-deputetit socialist Marko Bello. “Vetëm lajme të trishta dëgjojmë gjatë kësaj periudhe. Na dridhet zemra për njerëzit tanë të dashur kur përballemi me pandeminë. Trishtohemi kur miqtë sëmuren e gëzohemi kur ia hedhin.
Gjatë ditëve të fundit kam ndjekur duke pyetur miqtë edhe për Andi Përmetin, deputetin e ri nga Korça, dhe jam shume e gëzuar që Andi kaloi rrezikun. Por sot jam trishtuar shumë kur mora vesh se deputeti Marko Bello nuk ia doli në përballjen me Covid-19. E kujtoj si deputet shumë korrekt, i moderuar dhe i njerëzishëm me të gjithë. Shpreh ngushëllimet më të thella familjes. Një humbje e rende për familjen e miqtë e tij”,-thotë Topalli,
Kurse për ish-kreun e Bashkisë së Elbasanit, Ëngjëll Dakli, ish-kryeparlamentarja shkroi që ”Tani po lexoj se ka ndërruar jetë edhe Ëngjëll Dakli, ish-kryetar i Bashkisë Elbasan, deputet. E kujtoj me shumë respekt në të gjitha detyrat e tij. Njeri i matur, me integritet. Më vjen shumë keq. Ngushëllime familjes. Bashkohem me dhimbjen e familjes. Pushoftë në paqe”, shkruan Topalli.