Covid-19 i merr jetën prindërve të drejtorit të spitalit në Korçë

Një çift bashkëshortësh nga qyteti i Korçës kanë humbur jetën nga Covid-19. Të moshuarit përkatësisht 69 dhe 70 vjeç prej 2 javësh ishin të infektuar dhe gjatë ditëve të fundit gjendja e tyre shëndetësore ishte përkeqësuar, ndërkohë që merrnin trajtim në spitalin e Korçës. Mësohet se çifti i bashkëshortëve ishin prindërit e drejtorit të spitalit rajonal të Korçës, ndërsa burime shtojnë se ka qenë nëna e drejtorit të spitalit ajo që ndërroi jetë e para dhe më vonë babai i tij. Të dy kanë ndërruar jetë mbrëmjen e së martës.

Ndonëse Tirana është vatër e kuqe e Covid-19, pas tij vjen qyteti juglindor i Korçës, që ka situatë të përkeqësuar epidemiologjike, me plot 951 raste aktive. Sipas mjekëve faktorët që kanë ndikuar janë turistët nga rrethet që vizitojnë Korcën, por edhe mungesa e respektimit të masave nga vetë qytetarët korçarë.

Pas kryeqytetit, qarku juglindor ka numrin më të lartë të të infektuarve me Covid-19. Problematike situata është në institucionet arsimore ku me tepër se 15% e të infektuarve në qark janë edukatorët, mësuesit dhe nxënësit. Sipas pneumologes Diana Aliçkolli faktorët kryesorë të rritjes së numrit të infektuarve janë turistët nga qytetet e ndryshme dhe papërgjegjshmëria e vetë qytetarëve në zbatimin e masave.

“Një nga arsyet për qytetin tonë është turistët, është mos mbajtja e maskave dhe vet stina e ftohtë që kemi në qytetin tonë, që duke qenë se është ftohtë njerëzit rrinë me shume brenda sesa në behar kur fëmijët dhe studentët rrinin jashtë, dhe kur hyjnë në familje ua çojnë prindërve, gjyshërve dhe prandaj është kjo situatë”, tha ajo. Spitali Rajonal i Korçës ka vendosur në shërbim të pacientëve me Covid-19, pavijonin e sanatoriumit i cili është përshtatur për të sëmurët me Covid-19.

SHKARKO APP