COVID-19 “imun” ndaj verës, mjeku: Virusi nuk largohet nga temperaturat e larta, tregoni kujdes
Vazhdimësia e procesit të vaksinimit ka ulur ndjeshëm rastet e reja të infektimit me Covid-19. Mjekët shprehen optimist mbi situatën e pandemisë por thonë se duhet treguar ende kujdes pasi rrezikun nga koronavirusi është ende i pranishëm.
Uljen e rasteve të infektimeve dhe fataliteteve nga Covid-19 mjekët e argumentojnë me vaksinimin masiv të popullsisë.
“Numrat në gjithë vendin kanë një rënie, por ky është edhe kontribut i vaksinës.”
Pavarësisht përmirësimit të situatës së pandemisë mjeku infeksionist Gent Stroni ngre shqetësimin se të prekurit me koronavirus paraqiten në spital në gjendje të rëndë.
“Vijnë në një fazë të mesme ose të rëndë.”
Ardhja e verës dhe rritja e temperaturave sipas mjekut Stroni nuk priten të sjellin mrekulli me pandeminë pasi ky virus ka treguar se nuk shuhet nga temperaturat e larta.
“E gjithë Evropa në verë pati probleme, prandaj nuk do të mundemi ta krahasojmë në aspektin e temperaturës.”
Ndaj mjekët apelojnë qytetarët që të mos ulin vigjilencën ndaj rrezikut që ende nuk ka shkuar.
“Jemi akoma shpejt për të hequr maskën dhe distancimin. Jemi akoma shpejt për të thënë se kjo e keqe e madhe kaloi.”
Prej nisjes së pandemisë Shqipëria llogarit mbi 129 mijë persona të prekur me virusin sars-cov 2 dhe 2 mijë e 330 humbje jete.