COVID-19, ja si Gjermania kryen testet kundër virusit
Vetëm pak ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë këshilloi të gjithë shtetet që të kryejnë sa më shumë teste të mundnen për identifikimin e personave me COVID-19.
Por shumë prej vendeve kanë një numër të kufizuar testesh në krahasim me numrin e personave që kanë frikë se janë të prekur.
Mjeku shqiptar Besmir Elmazi në Gjermani, shpjegon për Ora Neës se si kryhen këto testime atje.
Ai shprehet se jo të gjithë personat që kërkojnë të testohen u bëhet ajo.
Elmazi: Situata e pandemisë në Gjermani tani paraqitet alarmante teksa numri i të prekurve rritet dita ditës. Nga shifrat e publikuara sot, numri i të prekurve ka kaluar mbi 13.700 persona. Në këtë numër ka edhe një gjë pozitive pasi pjesa më e madhe e pacientëve janë në trajtim ambulatorë në shtëpi kurse vetëm një pjesë e vogël e pacientëve janë të hospitalizuar. Fatmirësisht numri i viktimave është i vogël. Ka 37 persona që kanë humbur jetën që është vetëm 0.2 përqind e totalit.
Në Gjermani janë ngritur qendra të posaçme ambulatore ku drejtohen të gjithë personat që kanë simptoma të ngjashme me atë të COVID-19.
Atyre iu bëhet testi vetëm pasi vërtetohet nëse pacienti ka lëvizur në zonat e prekura nga virusi.
Elmazi: Masat në Gjermani janë marrë që përpara dy javësh kur u shfaqën rastet e para në Evropë. Pati një mobilizim shumë të madh në të gjitha sferat e jetës. Duke u anuluar të gjitha evenimentet me përqëndrim të lartë të popullsisë. Është pezulluar qarkullimi, janë mbyllur të gjithë kufijtë tokësorë si dhe shumë fluturime janë pezulluar. Në Gjermani nga e hëna janë ngritur në shumë qytete qendra ambulatore ku bëhen teste të ndryshme për të identifikuar persona të infektuar me infeksione të ngjashëm me COVID-19 . Nëse paraqiten pozitivë në këto qendra, bëhet një anamnezë e shkurtër se ku kanë udhëtuar kohët e fundit nëse kanë qenë në zonat e prekura. Nëse gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar atëherë, ato dërgohen në shtëpi.
Në Gjermani testohen vetëm pacientët që kanë simptoma të theksuara, probleme me frymëmarrjen, temperaturë të lartë deri në atë anemnezë që bëjnë ato qendrat ambulatore. Për të parë historinë e udhëtimit të tyre. Pra jo çdo person që vjen, testohet sepse është një numër shumë i madh personash që kanë frikën e madhe se mund të jenë të infektuar me COVID-19. Testet janë të kufizuara.