Covid-19/Letra Gjonajt, kërkesë për dënime alternative dhe amnisti për të moshuarit
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj për shkak të pandemisë COVID-19, i ka drejtuar një letër-kërkesë tri institucioneve të drejtësisë për të marrë masa që politika penale të orientohet në dhënien e dënimeve alternative që mund të aplikojnë për disa kategori të burgosurish dhe çështje në gjykim.
Letra i është dorëzuar Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe përmes saj kërkohet së pari të konsiderohet dhënia e ndëshkimeve alternative nga prokurorët për masat e propozuara, si dhe së dyti, të udhëzohen gjyqtarët të japin dënime alternative në rastet kur është e mundur.
Një masë tjetër është ngritja e një grupi pune pranë Ministrisë së Drejtësisë për të shqyrtuar mundësinë e një amnistie për të dënuarit e moshuar mbi 60 vjeç dhe që kanë sëmundje kronike, të cilët vuajnë dënime të lehta. Mësohet se bëhet fjalë për një amnisti që nuk do të prekë çështjet në hetim, por vetëm të dënuarit e moshuar më sëmundje kronike dhe ata që janë dënuar për çështje të lehta, ku nuk përfshihen kategoritë e dënimeve për krime të rënda. /Euronews Albania/