Covid-19 ”mbyll” dy institucione në Vlorë, kyçet materniteti në Lushnje
Institucionet në vend janë prekur nga pandemia e Covid-19. Gjykata e Apelit në Vlorë dhe një pjesë e institucionit të AKU-së në këtë qytet janë mbyllur për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19. Mësohet se një person i punësuar brenda Gjykatës së Apelit të Vlorës, ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Pas tij, tre punonjës të tjerë, kanë bërë tamponin, pasi kanë pasur kontaktet më të shpeshta me të infektuarin. Ata dyshohet se janë prekur me Covid-19, por pritet që të dalë rezultati i analizave, për ta vërtetuar këtë. Ndërsa në AKU, kati i dytë i institucionit është mbyllur, pasi një inspektor ka rezultuar i infektuar.
Nga ana tjetër, mësohet se Covid-19 ka deportuar edhe në maternitetin e Lushnjes. Një mjeke gjinekologe ka rezultuar pozitive. Si rezultat i hetimit epidemiologjik, u janë marrë tamponët të gjithë stafit dhe në varësi të përgjigjes do të merret vendimi se ku do të hapet materniteti “Ihsan Çabej”. Vizitat do të bëhen në ambulancën e qendrave shëndetësore të lagjeve.