Covid-19 ndikoi tek regjistrimi i saktë i lindjeve dhe vdekjeve
Pandemia e Covid-19 ka ndikuar në përllogaritjen se sa shqiptarë kanë lidhur dhe sa kanë vdekur. Instituti i Statistikave publikoi të dhënat e treguesve demografikë për tremujorin e dytë të këtij viti dhe ashtu si për periudhën janar-mars 2020, ka thënë se të dhënat mund të mos reflektojnë realitetin. Sipas INSTAT, kjo ndodh pasi për shkak të situatës së Covid-19, në zyrat e gjendjeve civile mund të mos jenë reflektuar lindjet dhe vdekjet.
Megjithatë, statistikat në dispozicion tregojnë se numri i lindjeve për tremujorin e dytë 2020 është 6.124, duke shënuar një rënie me 8%, krahasuar me tremujorin e dytë 2019. Numri i vdekjeve po për të njëjtën periudhë rezulton 4.989, duke shënuar gjithashtu një rënie prej 3.1 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2019.
Raporti lindje-vdekje është pozitiv ku përgjatë periudhës prill-qershor 2020 numri i lindjeve tejkalon me 1,135 numrin e vdekjeve. Vlera më e lartë e shtesës natyrore regjistrohet në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 709 numrin e vdekjeve, në qarkun e Vlorës më shumë persona humbën jetën sesa pati lindje.
Korça dhe Shkodra ishin gjithashtu qarqe ku numri i vdekjeve qe më i lartë se ai i lindjeve, në kontrast me Dibrën dhe Durrësin ku shtesat natyrore ishin më të larta, pra kishte dukshëm më shumë lindje sesa vdekje.
Në tremujorin e dytë 2020 numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.973 lindje, ndërsa ai më i vogël në qarkun e Gjirokastrës, me 121 lindje. Në tremujorin e dytë 2020 numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 117 vdekje, ndërsa ai më i lartë në qarkun e Tiranës, me 1.264 vdekje.