Covid-19 në burgje, Gjonaj kontroll në Elbasan: Dyfishim komunikim online të të dënuarve me të afërmit
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka vijuar me inspektimet për të parë situatën me Covid-19 në burgje, ku këtë të martë ndaloi në burgun e Elbasanit. Inspektimi u krye për verifikuar në terren masat parandaluese anti-covid, dhe përmirësimin e kushteve për trajtimin e personave të dënuar.
Për më tepër Gjonaj ka vënë theksin tek masat anti-covid dhe tek protokollet e sigurisë për të shmangur problematikat e pandemisë tek stafi i burgjeve dhe tek të dënuarit. Në vijim ajo ka kërkuar që pandemia dhe rastet e shfaqjes së saj në institucionet penitenciare të mos ndikojë për uljen e vigjilencës nga trupat e shërbimit në lidhje me çështjet e sigurisë.
”Në vijim të inspektimeve në sistemin penitenciar, zhvillova një kontroll në IEVP Elbasan për të verifikuar nga afër sigurinë dhe protokollet për situatën anti-covid në burgje. Inspektova regjimin e brendshëm të IEVP Elbasan, mjediset mjekësore dhe infermierinë, hapësirat e përgatitjes së ushqimit dhe u kërkova drejtuesve të ofrojnë dyfishim të komunikimit online të të dënuarve me të afërmit e tyre. Sigurova trupën policore dhe strukturave të IEVP Elbasan se kanë mbështetjen tonë të plotë dhe se nuk do të heqim dorë deri sa të realizojmë barazimin e trajtimit të tyre financiar me Policinë e Shtetit”,-shkruan Gjonaj në facebook.
Ministrja vizitoi mjediset e përbashkëta të të dënuarve, sallën e komunikimit online me familjarët, infermierinë dhe ambjentet shëndetësore të burgut të Elbasanit dhe bashkëbisedoi me stafin mjekësor të IEVP-së. Gjonaj i kërkoi drejtuesve të burgut që të mos heqin dorë nga garantimi maksimal i marrëdhënieve etike me vartësit.
Nga 5000 të dënuar dhe të paraburgosur vetëm gjashtë prej tyre kanë shfaqur simptoma të lehta të Covid-19 dhe janë karantinuar në mjediset e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Shënkoll, që është dhe burgu i përcaktuar për izolimin e rasteve me Covid-19. Të gjashtë të burgosurit vijnë nga IEVP-ja e Tepelenës. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve, në Qendrën Spitalore të Burgjeve, ku trajtohen të dënuarit e dyshuar me Covid-19, nuk ka asnjë të shtruar me Covid-19.