COVID-19, Nezaj: Media duhet të përfshihet në paketën ekonomike të qeverisë
Në planin ekonomik të qeverisë të prezantuar pas situatës së krijuar me koronavirusin duhet të përfshihet edhe media.
Gazetari dhe pedagogu, Sami Nezaj në një lidhje me skype për Ora News tha se qeveria duhet ta shikojë me seriozitet, pasi disa prej mediave kanë mbyllur emisionet e tyre dhe kane veshtiresi financiare.
Sami Nezaj: Media private është biznes, nuk po flas për RTSH i cili është një institucion që ka një model tjetër biznesi dhe është i mbështetur mbi pagesat që kryejnë qytetarët. E gjithë pjesa tjetër e mediave është private dhe natyrisht duke qenë biznes duhet përfshire në paketën e qeverisë për ndihmë si biznes i cili pëson rënie të të ardhurave dhe rënie të fitimit për shkak të koronavirusit. Mendoj se qeveria duhet ta shohë me seriozitet këtë gjë, duke pasur parasysh edhe faktin se disa prej televizioneve janë detyruar të mbyllin emisione që sjellin mjaft të ardhura për televizionet.
Ashtu si edhe shumë biznese, Nezaj tha se disa media do të kenë vështirësi ekonomike në këtë situatë.
Sami Nezaj: Disa segmente të medias do ja dalin me vështirësi pas përfundimit të situatës së pandemisë, por kjo nuk është e njëjtë për të gjitha llojet e mediave pasi media të ndryshme kanë model biznesi të ndryshëm dhe duke pasur modele biznesi të ndryshme edhe në kohë të jashtëzakonshme sic është tani audiencat duhet të plotësojnë disa nevoja për produkt mediatik, disa mund të kenë vështirësi, por disa mund t’ia dalin.