Covid-19 nuk ndalet, dhjetëra raste në shkolla dhe universitete. Preken mësues dhe nxënës

Nisja e vitit të ri akademik në këtë kohë të pandemisë së Covid-19, erdhi bashkë me frikën për rritjen e rasteve. Nuk kaloi shumë dhe rastet janë shfaqur. Situata është e rëndë në Vlorë, Berat, Bulqizë e Gjirokastër, ku deri më tani janë një numër i madh mësuesish dhe nxënësish të infektuar.

Një nxënëse e klasës së 11-të në gjimnazin “Siri Shapllo” në Gjirokastër, ka rezultuar pozitive me Covid-19. Për rrjedhojë, 23 nxënësit e tjerë të klasës kanë bërë tamponin. Akoma nuk dihet se ku e ka marrë virusin nxënësja e kësaj shkolle. Njoftohet se kjo klasë nuk do të zhvillojë mësim për 14 ditë. Kurse në Berat janë të infektuar edhe 8 mësues dhe një polic me Covid-19. Aktualisht mësimi për ta zhvillohet online. Pjesa tjetër e shkollës vijon mësimi normalisht. Ndërsa në shkollën e fshatit Mbrakull kanë rezultuar 4 mësues pozitiv.

Në Universitetin e Vlorës, ”Ismail Qemali” ku janë zbuluar tri raste me Covid-19, personel akademik dhe 10 persona janë karantinuar me urgjencë. Departamenti i biologjisë pranë këtij universiteti, në katin e parë dhe të dytë të tij është mbyllur ndërsa godina pritet të dezinfektohet. Mësohet se është kryer dezinfektimi në godinat universitare, ndërsa aktualisht në të gjitha degët e katër fakulteteve po kryhen konsultimet dhe leksionet për çështjet e trajtuara në mësimin akademik online. Në fillim të tetorit pritet të zhvillohen provimet e sezonit të vjeshtës, ndërsa regjistrimet e maturantëve për programet e studimit në këtë universitet publik janë në fazën e dytë të tyre. Mësimi po bëhet online dhe ambientet po dezinfektohen.

Situata është e rëndë edhe në Bulqizë, ku pesë mësues kanë rezultuar të infektuar me Covid-19. Të infektuarit janë izoluar dhe janë futur në karantinë. Edhe institucionet publike në Kuçovë janë prekur nga Covid-19. Disa ditë më parë u konfirmuan 6 raste pozitive me Covid-19, të cilët rezultuan se ishin pensionistë. Një edukatore në një kopsht në Kuçovë dhe fëmija e saj 5-vjeçe, që është e regjistruar në të njëjtin kopsht, janë prekur nga virusi Covid-19. Edukatorja ka qenë aktive në punë, deri në momentin që ka shfaqur shenjat e virusit dhe pas kryerjes së tamponit ka rezultuar me Covid-19.

SHKARKO APP