Covid-19 prek sërish bluzat e bardha në Berat, të infektuar dy mjekë dhe një mësuese

Rastet e infektimeve me Covid-19 kanë njohur rritje gjatë muajit të fundit në qarkun e Beratit, ndërkohë që infektimet janë shtuar edhe në radhët e mjekëve. Ditën e sotme dy mjekë në qytetin e Beratit kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.

Të infektuar janë konfirmuar mjeku psikiatër i Spitalit Rajonal të Beratit dhe një mjeke në Qendrën Shëndetësore Nr.2. Mësohet se të dy mjekët nuk kishin pasur shenja të dukshme të infektimit por ata kishin pasur kontakte me persona që kanë rezultuar pozitivë dhe për këtë arsye kishin kryer tamponin dhe ishin karantinuar në banesë prej disa ditësh. Burimet zyrtare pranë Institutit të Shëndetit Publik në Berat bëjnë me dije se është kryer dezinfektimi i të gjitha ambienteve të Qendrës Shëndetësore Nr.2, ku edhe janë mbyllur përkohësisht disa ambiente.

Të njëjtat burime konfirmojnë se edhe në Spitalin Rajonal të Beratit është dezinfektuar dhe mbyllur për disa ditë kabineti i Neurologjisë. Infektimet kanë vijuar çdo ditë edhe në institucionet arsimore ku më të prekurit kanë qenë mësuesit. Pikërisht sot një mësuese në shkollën 9-vjeçare në fshatin Karkanjoz është konfirmuar “pozitive” nga testimi i kryer disa ditë më parë. Mjekët epidemiologë në Berat konfirmojnë se në të gjitha rastet janë kryer hetimet epidemiologjike për të hetuar zinxhirin e personave të kontaktit me të infektuarit.

SHKARKO APP