Covid-19 prek ushtrinë, Kollçaku: Masa për një valë të dytë në vjeshtë

Covid-19 po tregohet agresiv në vendin tonë. Rritja e kurbës është e frikshme. Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, Bardhyl Kollçaku, ka bërë me dije se në radhët e FA-së ka pasur 9 ushtarakë të infektuar, 5 nga të cilët janë në misione jashtë vendit. Gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Kollçaku është shprehur së në total janë kryer 200 testime.

”9 të prekur në total. Nga këta 5 në misione; 4 në KFOR dhe 1 në Afganistan dhe 4 të tjerë në Shqipëri. Katër prej tyre kanë qenë të shtruar në spitalin e Infektivit në Tiranë por jo në gjendje kritike serioze, një i karantinuar në Afganistan dhe të tjerët të karantinuar në vendbanimet e tyre. Të gjithë janë ndjekur nga mjekë të njësisë mjekësore ushtarake, komandave në operacion dhe mjeku i familjes”.

Nga ana tjetër, shefi i Shtabit ka treguar se po merren masa për një valë të dytë të mundshme të Covid-19 në vjeshtë. ”Po marrim masa për një valë të dytë të mundshme në vjeshtë”, teksa theksoi se gjatë kësaj kohe ushtria ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me policisë, ku mijëra forca ushtaraka në kanë patrulluar së bashku me rendin në zbatimin e masave të sigurisë.

Një ditë më parë janë nisur drejt Afganistanit dy kontingjente me ushtarë për në misionin “Resolute Support”. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, me anë të një postimi në facebook. ”Detyrimet e Shqipërisë ndaj NATO-s vijojnë pavarësisht pandemisë. Dje përcollëm dy kontingjente për në misionin “Resolute Support” në Afganistan. Kontingjenti i Forcave Speciale do të vijojë shërbimin delikat në Bagram, ndërsa trupat e batalionit të III të këmbësorisë do të shërbejnë në Aeroportin e Kabulit. Suksese djema dhe u kthefshi shëndoshë e mirë”.

SHKARKO APP