Covid-19, Qeveria heq tenderat – Institucionet do vendosin vetë nëse çmimi është i leverdisshëm pa procedurë konkurimi

Blerja e produkteve që shërbejnë për përballimin e situatës së Pandemisë tashmë mund të blihen pa tendera nga ana e institucioneve shtetërore në rast se këto vlerësojnë se çmimet janë të leverdisshme, apo në rast urgjencash.

Këshilli i Ministrave ka ndërhyrë në Aktin Normativ për përballimin e gjendjes së jashtëzakonshme, duke u lënë në dorë institucioneve të vlerësojnë nëse çmimet janë të favorshme si në rastin e mallrave ashtu edhe të shërbimeve nga bizneset e përpunimit aktiv.

“Autoritetet kontraktore, me qëllim përmbushjen e nevojave për mallra/shërbime të nevojshme, për një kohë lëvrimi shumë të shkurtër, ose për raste veçanërisht të leverdisshme, që paraqiten në një kohë shumë të shkurtër dhe me një çmim më të ulët se çmimet normale të tregut, për përballimin e nevojave emergjente, kryejnë procedura prokurimi me negociim, pa shpallje papaprake të njoftimit dhe lidhin kontratat e furnizimit për këto mallra me operatorët ekonomikë të referuar si “biznesi i përpunimit aktiv”, sipas parashikimeve të Kodit Doganor.

Po nga ana tjetër, Bizneset e përpunimit aktiv, sipas parashikimit në këtë nen, që prodhojnë mallra ose ofrojnë shërbime të nevojshme për përballimin e situatës së krijuar nga COVID-19, pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, nëse kanë mallra/shërbime të leverdisshme, në kuptim të këtij neni, shprehin disponibilitetin e tyre pranë Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara (ABP).

Sipas Aktit, Autoritetet kontraktore do të negociojnë vetëm me operatorët e listuar në ABP, e cila ka detyrimin të përditësojë çdo ditë listën e bizneseve që shprehin disponibilitetin e tyre.

Nëse nevoja nuk mund të plotësohet nga këta operatorë, autoritetet kontraktore mund t’i drejtohen operatorëve të tjerë ekonomikë për përmbushjen e kërkesës për këto mallra, sipas procedurës me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit.

SHKARKO APP