Covid-19 shpërthen në institucionet e rretheve, gjykatat e shkollat të paralizuara
Disa klasa të Shkollës Koto Hoxhi dhe dy kopshte janë mbyllur në Gjirokastër për shkak se mësues e edukatore kanë rezultuar me Covid 19. Institucionet arsimore dhe zyrat e shtetit mbeten vatra të përhapjes së koronavirusit në disa bashki të vendit në 24 orët e fundit.
Koronavirusi ka shpërthyer në institucionet arsimore në Gjirokastër.
Dy kopshte janë mbyllur ndërsa shkolla Koto Hoxhi ka pezulluar procesin mësimor në klasat nga e 6 te e 9.
Në shkollë janë konfirmuar të prekur me Covid-19 10 mësues, ndërsa u janë marrë tamponët pjesës tjetër të stafit.
“Është një vatër infeksioni në arsimin 9-vjeçar. Janë infektuar dy mësues dhe disa janë në pritje të përgjigjes. Drejtoria e shkollës ka vendosur që të bëjë dezinfektimin e ambienteve.”
Drejtorja e Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Albana Hasanaj relativizoi situatën e koronavirusit në shkolla teksa pa shifra foli për numër të ulët nxënësish e mësuesish të prekur.
“Mësuesit e karantinuar është i ulët. Kemi pak të prekur.”
Ndërsa dy kopshtet që varen direkt nga bashkia e Gjirokastrës, dyshohen për rreth 20 të prekur me koronavirus dhe institucionet do të qëndrojnë të mbyllura mbi një javë.
“Për të shpëtuar atë pjesë të institucionin kemi vendosur mbylljen e kopshtit.”
Koronavirusi vijon të përhapet edhe në zyrat e shtetit.
Konfirmimi pozitiv me Covid i punonjësve detyroi mbylljen e përkohshme të Bibliotekës së Lezhës dhe zyrën e Protokollit pranë bashkisë.
Ndërsa në Krujë, qytetarët ankohen se bllokimi i punës në Gjykatë për shkak të koronavirusit po vonon drejtësinë.
“Është mbyllur dhe nuk është vënë datë se kur hapet.”
Në të gjithë vendin, ka raste të shtuara të të prekurve me koronavirus kryesisht në institucionet arsimore dhe zyrat e shërbimeve. /Ora News