Covid-19, si po e mbështet OKB-ja Shqipërinë?
Koordinatori i Përhershëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Brian J. Williams, ka folur për pandeminë dhe ndihmën që është duke dhënë OKB-ja. Ai thotë se qeveria mori masa të shpejta dhe tashmë po shihen rezultatet.
“Qeveria i është referuar si një luftë dhe në këtë luftë distanca fizike është arma më e fortë. Në e mbështesim përpjekjen e tyre për këto masa. Ne e dimë që virusi përhapet nga njëri person te tjetri dhe ndërsa i qëndrojmë njëri-tjetrit emocionalisht pranë duhet të ruajmë distancën fizike. Duket se situata është nën kontroll në Shqipëri. Numri i të infektuarve të rinj është në rënie. E rëndësishme është që kjo të ndodhë kudo në Shqipëri. Në SHBA kanë folur të gjithë për Nju Jorkun, por tashmë po shohim që po përhapet kudo. Është e rëndësishme që këto masa të zbatohen në të gjithë Shqipërinë”.
Nga ana tjetër Williams foli edhe për ndikimin që ka pasur pandemia në projektet e OKB-së në Shqipëri. “Edhe ne duhet të respektojmë masat e distancës fizike, por jemi duke punuar fortë gjithsesi dhe po bëjmë gjithçka mundemi brenda luftës. Jemi duke dhënë ndihmesën tonë në luftën ndaj Covid-19. Janë disa agjenci të OKB që po mbështesin qeverinë shqiptare, si me financa por edhe me pajisje mjekësore që nevojiten. Po flasim për rreth 700 mijë dollarë mbështetje, bashkë me OBSH. Respiratorët po bëhen të mundur të sillen edhe në Shqipëri. UNICEF është duke u marrë me fëmijët. Po mundohemi të çojmë internet në çdo shtëpi, pasi në këtë periudhë është mjaft i rëndësishëm”.