COVID, 2.5 për qind e të infektuarve janë fëmijë. Ja sa është incidenca e dy javëve të fundit

Gati 2.5 për qind e të infektuarve me COVID19 janë fëmijë nën 14 vjeç. 

Thënë ndryshe, në 37 javët e pandemisë kanë rezultuar pozitivë 276 fëmijë. Ndërsa aktualisht vetëm 13 për qind prej tyre, ose 36, janë të infektuar aktivë. Por me hapjen e shkollave, ky numër pritet të rritet ndjeshëm.

“Ministria e Shëndetësisë u bën apel mësuesve, prindërve, nxënësve, të respektojnë me përpikmëri masat ndaj COVID-19 me qëllim frenimin e përhapjes së këtij virusi. Maska është e detyrueshme; respektimi i distancës dhe higjienës. Koordinatori, në çdo shkollë, duhet menjëherë të sinjalizojë strukturat e shëndetësisë për çdo rast të dyshuar”, tha Gentjana Qirjako.

Të premten janë raportuar 161 raste të reja nga 875 teste të kryera. “Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 97 qytetarë, duke e çuar në 6443 numrin e të shëruarve. Nga 875 testime të kryera, 161 kanë rezultuar pozitivë më virusin SARS-COV2. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 54 raste në Tiranë, 20 raste në Elbasan, 13 raste në Korçë, 11 raste në Kukës, 10 raste në Durrës, Lezhë, 9 raste në Krujë, 6 raste në Pogradec, 4 raste në Kamzë, nga 3 raste në Shkodër, Devoll, Kavajë, Vlorë, 2 raste në Gramsh,nga 1 rast në Has, Lushnje, Pukë, Mirditë, Berat, Librazhd, Përmet, Malësi e Madhe, Shijak, Maliq”, bëri me dije doktoresha. Sipas saj, nga të dhënat epidemiologjike incidenca e dy javëve të fundit është 62.9 raste për 100 mijë banorë.

Krahasuar me incidencën 2-javore të javëve pararendëse ka një ulje të lehtë, por ky është një moment i rëndësishëm për të kujtuar rëndësinë e respektimit të rregullave, pasi hapja e shkolla mund të ketë impakt në situatën epidemiologjike. Lidhur me situatën në spital, aktualisht gjenden të shtruar 188 pacientë, 21 në terapi intensive, nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar.

Në 24 orët e një ditë më parë kanë humbur betejën me COVID-19 tre pacientë, duke e çuar në 327 numrin e viktimave që nga fillimi i pandemisë.

“Një 80-vjeçar nga Shkodra, një 82-vjeçar dhe një 90-vjeçar nga Tirana nuk e fituan dot betejën me sëmundjen në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe infermierëve”, bëri me dije Ministra e Shëndetësisë.

SHKARKO APP