Covid po bashkëqarkullon me gripin, në Shqipëri shënohet edhe viktima e parë
Në SHBA dhe disa vende të Europës, përfshirë edhe Shqipërinë, nga java në javë janë rritur infektimet me Covid-19. Sipas Institutit të shëndetit publik nga 846 raste të dyshuara në një javë, 65 rezultojnë pozitiv, ose gati 8% e rasteve.
Covid-19 po bashkëqarkullon në popullatën shqiptare bashkë me gripin, që aktualisht po dominon, pasi 20% e rasteve të dyshuara rezultojnë pozitiv.
“Situata e gripit ka një kthesë, ka një predominim në popullatën shqiptare. Aktualisht kemi forma të mesme dhe të mesme, dhe asnjë rast të intubuar”. Shenjat e shfaqjes së Covid-19 dhe gripit ngjajnë me ato të një infeksioni viral.
Për të shmangur rastet e rënda, ekspertët rekomandojnë edhe vendosjen e maskës, por jo me detyrim. Covid-i dhe gripi po bashkëqarkullojnë me infeksionet respiratore që kanë sjellë fluks pacientësh në qendrat shëndetësore.
Një 70-vjeçar nga qyteti i Gjirokastrës mësohet të ketë ndërruar jetë nga gripi i stinës. I moshuari ka humbur jetën në Shërbimin Infektiv pas komplikacioneve që i shkaktoi virusi. Ai ka humbur jetën në datën 3 janar, por ende nuk ka një njoftim zyrtar nga QSUT dhe Ministria e Shëndetësisë.