Çudit Macron: Nëse Rusia hedh bombën bërthamore, ne s’do përgjigjemi
Presidenti Macron, thotë se Franca nuk do të reagonte me një përgjigje bërthamore nëse Rusia do të niste një sulm të tillë në Ukrainë ose në rajon. Komentet e fundit të Emmanuel Macron mbi përgjigjen franceze në rast të një sulmi bërthamor rus në Ukrainë kanë ”ndezur gjakrat” nga komuniteti ndërkombëtar dhe kundërshtarët e tij politikë në vend.
“Franca ka një doktrinë bërthamore, e cila bazohet në interesat jetike të vendit të cilat janë të përcaktuara qartë. Këto nuk do të ishin në rrezik nëse do të kishte një sulm balistik bërthamor në Ukrainë ose në rajon”.
Si lider i fuqisë së vetme bërthamore të BE-së, komentet e Macron se ai nuk do t’i përgjigjej një sulmi bërthamor në Ukrainë “ose në rajon” nuk ka gjasa të qetësojë vendet anëtare të BE-së që i përkasin NATO-s si Polonia, Rumania apo Sllovakia. Neni 5 i traktatit të NATO-s thotë se anëtarët duhet të dalin në mbrojtje të anëtarëve të tjerë në rast sulmi.
Putin e ngriti presionin e një lufte bërthamore muajin e kaluar, duke kërcënuar se do të përdorte “të gjitha burimet e armëve” që kishte në dispozicion për të fituar.