Çupi: Çdo propozim i OSBE do të ketë këndvështrimin tonë
Grupet e punës kanë filluar mbledhjet e tyre të para për të përcaktuar propozimet e secilit për sa i përket reformës zgjedhore, dhe ish-deputetja e PD-së, Dhurata Çupi është pjese e tyre. Sipas saj, kontributi i PD-së do të jetë i dukshëm, sepse “ka përgjegjësinë për t’ i ofruar shqiptarëve kushtet më të mira për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të ndikuar nga kushtet e Bundestagut por edhe të vendeve të tjera, që kanë verifikuar që 6 vitet e fundit kanë parë rënien e cilësisë të procesit zgjedhor”.
PD ka ngritur një grup pune bashkë me aleatët, ku sipas Çupit po punohet për zgjedhje ku parimet bazë janë “zgjedhje të lira, pa ndërhyrjen e administratës shtetërore, pa delegimin e vullnetit të kryeministrit deri në qelizat bazë”.
Çupi thotë se raporti i OSBE/ODIHR ka treguar se Shqipëria nuk ka ofruar dot zgjedhje të lira, dhe objektivi i PD-së është që “çdo propozim i këtij raporti të ketë këndvështrimin tonë”. Mbledhja e parë e grupit të punës sipas saj nuk ka shfaqur kontradikta midis aleatëve, madje “ishte shumë konstruktive, nuk pati debati por vetëm qëllimi i mirë për t’ i ofruar shqiptarëve atë që kërkojnë”.