Dade kundër ndalimit të koalicioneve parazgjedhore: Mazhoranca ka dalë jashtë shinave, nuk ka asgjë të përbashkët me PS

Ish-deputetja socialiste, Arta Dade, shprehet kundër ndalimit të koalicioneve parazgjedhore.

E ftuar në Rtv Ora, ajo thotë se është pro listave të hapura me sistemin aktual që kemi por të ketë një korrektim kombëtar.

Arta Dade: Për listat e hapura do të isha dakord. Mund të krijonte vështirësi për garën brenda partive që garojnë por aty do të duket sesa elementët që përfshihen në lista kanë një mbështetje popullore dhe sa vota marrin. Listat e hapura janë një diskutim i kahershëm dhe do të isha pranë tyre. Edhe sistemi siç është por të ketë një korrektim kombëtar në mënyrë që ato vota që nuk shkojnë për atë parti qoftë kjo e vogël për të cilën votohet dhe humbasin dhe kalojnë te partitë e mëdha. Ndërkohë që jam kundër mungesës së koalicioneve sepse ajo e vështirëson që edhe forca të reja apo parti që nuk kanë garuar ndonjëherë nuk ke pse t’ua heqësh shanset. Do të doja të shikoja që lëvizja studentore të shndërrohet në parti, mund të ketë edhe forca të tjera si majtas edhe djathtas për sakohë që shikojmë se forcat tradicionale janë atrofizuar, më së pari kanë mbytur demokracinë e brendshme dhe nuk japin garanci që mund të krijojnë një shoqëri më demokratike.

Pas marrëveshjes së 5 qershorit për ndryshimet në kodin elektoral,mazhoranca dhe opozita janë ndarë sërish në qëndrime për zgjedhjen e anëtarëve të KQZ-së së re.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk janë pjesë e Kuvendit, dhe si rrjedhojë përfaqësimi i  tyre në këto institucione është e vështirë.

Po ashtu, Arta Dade thotë se mazhoranca e majtë nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ka qenë PS.

Ajo solli në vëmendje të gjithë intelektualët e gjeneratës së saj në PS, mes tyre edhe të Moikom Zeqon i cili u nda nga jeta së fundmi.

Dade: Kjo mazhorancë ka dalë jashtë shinave të programit, nuk ka asgjë të përbashkët me PS. Kanë vënë një emër që nuk e përmendin më, që është Rilindja. Në vend që të rrëmbesh një vulë dhe një godinë dhe të mbahesh me thonj pas një emri ku ti vetëm e keqpërdor, sepse edhe emrin dhe simbolet i ndryshove, kjo nuk është një mënyrë sjellje e një lideri që pretendon që të drejtojë vendin apo një forcë të madhe siç ka qenë PS.

SHKARKO APP