Dako në Porto Romano: Urbanizim gjithë zonave informale

Bashkia e Durrësit ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për urbanizimin e plotë të të gjitha zonave informale dhe që në fillim të vitit të ardhshëm, ky projekt do të konkretizohet me urbanizimin e plotë të Porto Romanos, ka deklaruar kryebashkiaku i Durrësit dhe njëkohësisht kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane në këtë bashki, Vangjush Dako, në takimin që Ministria e Zhvillimit Urban realizoi me banorë të Porto Romanos për përfshirjen e kësaj zone në projektin pilot për zhvillimin dhe urbanizimin e zonave informale.

Dëgjesat publike në kuadër të projektit që MZHU dhe REC, në bashkëpunim me NJQV dhe ALUIZNI, që janë ndërmarrë për disa zona informale të shtrira në të gjithë vendin me temë “Urbanizimi dhe integrimi social-mjedisor i zonave informale në drejtim të ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së komunitetit”, kanë vazhduar në zonën informale “Lagjja 15” Porto Romano, Durrës.

Në këtë aktivitet ka marrë pjesë kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, përfaqësues të Ministrisë e Zhvillimit Urban, si dhe banorët e zonës interesimi i të cilëve ishte i madh dhe kjo u duk tek komentet, kërkesat, diskutimet në të cilat ata u përfshinë. Edhe një herë doli në pah interesimi i tyre për të luajtur një rol aktiv në procesin e integrimit dhe urbanizimit të zonës ku jetojnë.

Kryebashkiaku Dako tha se jam i bindur se ky projekt do të fillojë të bëhet realitet që në fillimin e vitit të ardhshëm, ndërsa ne si bashki kemi vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e administratës tonë në mënyrë që të rrisim cilësinë e jetës për këta banorë.

Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për urbanizimin e plotë të të gjitha zonave informale. Dako shtoi se ashtu sic kemi bërë në zonën që tashmë me të drejtë i themi Durrësi i ri, ku kemi realizuar ndërtimin e 10 rrugëve të reja me të gjithë parametrat bashkëkohorë, si kanalizime, ndricim dhe gjelbërim, ashtu do të bëjmë edhe për zonat e tjera.

Dako shtoi se modeli ynë që po aplikojmë sapo ka nisur dhe ne nuk do të mjaftohemi vetëm me rrugët, por edhe infrastrukturën për kopshte, cerdhe dhe shkolla. Ai përmendi edhe krijimin e zonës së lirë ekonomike në Spitallë, të cilën e cilësoi si investimin më të madh në 25 vitet e fundit.

SHKARKO APP