Dalin pamjet e aksidentit në ish-Bllok. Polici me shpejtësi skëterrë merr përpara makinat e përfundon në dyqan (Video)
Publikohen pamjet e aksidentit që ndodhi sot në zonën e ish-bllokut ku një makinë përfundoi brenda një dyqani.
Raportohet se nga kamerat e sigurisë janë siguruar pamjet ku shihet se në orën 12 : 44 minuta gjatë ditës së sotme, makina tip “Volvo” me targa të huaja duket se ka qenë duke ecur paksa më shpejt në një zonë të banuar, dhe pasi i është afruar kryqëzimit të rrugës “Vaso Pasha” në zonën e ish-bllokut, ka përplasur automjetin tjetër tip “Ford” që, siç shihet, i ka prerë rrugën.
Si pasojë e përplasjes, makina tip “Volvo” ka përfunduar në ambientet e një dyqani anës rrugës duke i shkaktuar dëme materiale. Po ashtu ka përplasur edhe një automjet tip “Mercedez-Benz” i parkuar në anë të rrugës, si dhe një motoçikletë.
Sipas abcnews, si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur 2 persona, një prej tyre në gjendje më të rëndë. Ndërsa raportohet se drejtuesi i mjetit tip “Volvo” me targa të huaja që shkaktoi aksidentin është një efektiv i policisë rrugore të Tiranës.