Dalin pamjet e momentit të arrestimit të vëllezëve Çala

Ditën e sotme 300 forca policore u anfazhuan në megaoperacionin për arrestimin e vëllezërve Çala, të akuzuar për një sërë grabitjesh më armë dhe dhunë, në rrugën e Rinasit dhe në aeroportin e Rinasit.

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e megaoperacionit policor të koduar.

Mësohet se gjatë këtij megaoperacioni u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale, armë zjarri, telefona, sasi të mëdha vlerash monetare dhe automjete.

Informacioni i Policisë:

Pamjet e megaoperacionit policor të koduar “Të fundit”, për kapjen e dy personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e vjedhjeve me armë, pjesëtarët e fundit të një grupi të rrezikshëm kriminal.

Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, 300 forca policore, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Njësia speciale FAST Albania, RENEA dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Komisariat i Policisë Kavajë, u përfshinë në megaoperacionin për arrestimin e vëllezërve Çala, të akuzuar për një sërë grabitjesh më armë dhe dhunë, në rrugën e Rinasit dhe në aeroportin e Rinasit.

Gjatë megaoperacionit, i cili u zhvillua në funksion të procedimit penal të vitit 2019 që aktualisht ndiqet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale, armë zjarri, telefona, sasi të mëdha vlerash monetare dhe automjete.

Operacioni u zhvillua në kushte të larta sigurie dhe konspiracioni, duke u finalizuar në Qerret të Kavajës, me vënien në pranga të dy vëllezërve, pjesëtarët e fundit të një grupi të rrezikshëm kriminal në fushën e vjedhjeve me armë e dhunë, konkretisht:

Klement Çala, 32 vjeç dhe Eldi Çala, 35 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar si autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 09.04.2019, në aeroportin e Rinasit, ku janë grabitur vlerat monetare të disa bankave të nivelit të dytë dhe për këtë Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” pa afat.

Në momentet e kapjes autorëve iu sekuestruan 3 armë zjarri të llojit pistoletë, 3 automjete tip Audi A 4-6-8, dy motorë BMV 1200 GS, një biçikletë, si dhe një sasi e konsiderueshme vlerash monetare, konkretisht 133.960 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

SHKARKO APP