Damian Gjiknuri prezanton ndryshimet në PS: Jemi partia më demokratike, forca që ka ditur të adaptohet me kërkesat e kohës
Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri bëri pasditen e kësaj të mërkure, hapjen e punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS. Gjiknuri prezantoi agjendën e diskutimeve të takimit të sotëm teksa theksoi se mandati i tretë i PS duhet të jetë inovativ dhe në nivelet që presin qytetarët nga mazhoranca. Gjiknuri tha se Kongresi do të miratojë votëbesim e Sekretariat ku do të ketë diskutime të lira.
”Mendoj se është një mundësi e mirë që ai Kongres jo vetëm të japë mesazhin që Partia Socialiste është partia më demokratike, por është partia që përballon sfidat e së ardhmes dhe është partia që vërtetë është zgjedhja më e mirë për shqiptarët. E në këtë kuadër edhe statuti i PS reflekton synimet që i kemi vënë vetes, kemi të bëjmë me disa elemente të rinj të organizimit të partisë;jo vetëm krijojmë mundësinë e rizgjedhjes së të gjithë kryetarëve të partisë në të gjithë Shqipërinë dhe kjo nuk bëhet pa qëllim, kjo bëhet për të rinovuar strukturën, kjo nuk do të thotë se kryetarëve aktual të cilëve u ndërpritet mandati nuk kanë të drejtë të kandidojnë,sepse e di që mund të ketë pasur edhe keqkuptime në këtë drejtim, por dua t’ju them se të gjithë e kanë këtë të drejtë, të gjithë do të vlerësohen; janë strukturat ato që do të propozojnë”, deklaroi ai.
Gjiknuri theksoi edhe që PS-ja është në pushtet sot, kjo falë qeverisjes së mirë dhe për shkak të forcës politike që ka ditur të organizohet dhe që ka një jetëgjatësi e trashëgimi të mirë nga pikëpamja organizative.
“Partia Socialiste ka ditur të adaptohet me kërkesat e kohës. Jemi në mandatin e tretë, një ngjarje e paprecedentë në politikën shqiptare që njëkohësisht sjell sfida shumë të mëdha për Partinë Socialiste. Ka ardhur momenti që ne të bëhemi më inovative, përsa i përket organizimit me fokus fitoren. Jo vetëm fitorja si qëllim në vetëvete, por duke u apdejtuar me kërkesat që sjell koha, me shqetësimet që kanë qytetarët shqiptarë, me atë që presin ata nga kjo mazhorancë. Unë e kam thënë se në fund të fundit, si është partia, është edhe qeverisja. Kur ka parti të shëndosha, kjo është garancia dhe receta e duhur, që ne të kemi qeverisje të mirë”.