Danaj: Kombëtarja e Shqipërisë Natyrale kualifikohet për finalet e EURO-2016

 

Fitorja e Shqipërisë ndaj Armenisë 3-0, i ka siguruar Kombëtares sonë pjesëmarrjen në Euro 2016. Në këtë eufori gëzimesh e festimesh ka dhënë dhe analizën e tij, ideatori i Platformës për Shqipërinë Natyrale, Koço Danaj, i cili e komenton kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2016 si një fitore natyrale.
Në analizën e tij mbi fitoren e Shqipërisë dhe për kualifikimin e saj për në Euro 2016, në Francë Z. Danaj e komenton kështu: "Të gjithë shqiptarët në mbarë trojet shqiptare dhe në çdo shtet që nga SHBA-ja deri në Australi festuan kualifikimin e Shqipërisë për në finalet e EURO-2016 që do të zhvillohet në Francë".
Në analizë Z. Danaj shpreh se meritë e kujt ishte kjo fitore e Kombëtares Shqiptare : "Por e kujt ishte kjo kombëtare? Ishte e Shqipërisë që na la Londra 2013? Jo, aspak. Lejani është nga Presheva. Por e kujt, e shtetit me emrin Kosovë? Jo aspak, Cikalleshi, nuk është nga Kosova. Po e kujt atëherë? Kjo ishte kombëtarja e Shqipërisë së vitit 1912, Kombëtarja e Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Dom Nikollë Kacorrit etj, të cilët shpallen pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj natyrore". 
"Ky kualifikim, kjo fitore më shumë se sa sportive, është një fitore etnike, edhe njëherë tregoi se sa mund të progresojë kombi shqiptar, sa mund të avancojë ai kur është i Bashkuar. Imagjinoni një "kombëtare" në ekonomi, në kulture, në arsim etj. Por më shumë imagjinoni një "Kombëtare" të tillë nga të gjithë trojet shqiptare në politikë!!!. Me një "Kombëtare" të tillë, kombi shqiptar do të jetë në pararojë të asaj që quhet BE. Shqiptarët dhe një pjesë analistësh e kanë kuptuar mirë çka thashë më lart. Fqinjët po ashtu e kanë kuptuar mire, uroj ta kuptojnë politikanët shqiptarë në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj. Kualifikimi i Kombëtarës së Shqipërisë Natyrale do të thotë: Doni BE, doni mirëqenie, doni stabilitet? Krijoni është politikisht Shqipërinë Natyrale!"- shton në shpjegimin e tij se sa me rëndësi ishte kjo fitore e Shqipërisë dhe kualifikimi i saj për Euro 2016.
 

SHKARKO APP