DASH shpall non-grata ish-zv/kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi dhe gjyqtarin Enver Bexheti
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur non grata ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut Artan Grubi dhe gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Maqedonisë së Veriut, Enver Bexheti. Ata akuzohen për korrupsion duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore që lidhen me dënimin penal të drejtor të Administratës për Siguri të Maqedonisë së Veriut dhe Kundërzbulimit Sasho Mijalkov. Si pjesë e këtij veprimi, janë caktuar edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Grubit.
“Në bazë të nenit 7031(c), Departamenti i Shtetit cakton publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkov, drejtor i Administratës për Siguri të Maqedonisë së Veriut dhe Kundërzbulimi (UBK). Mijalkov ishte caktuar në vitin 2022 për korrupsion të konsiderueshëm sipas nenit 7031(c), dhe OFAC e sanksionoi atë në bazë të OE 14033. Si pjesë e këtij veprimi, janë caktuar edhe anëtarët e ngushtë të familjes së Grubit”, thuhet në njoftimin e DASH.
Në listën e Departamentit të Shtetit janë 14 individë nga vende të ndryshme të botës, për përfshirje në korrupsion, duke përfshirë anëtarët e ngushtë të familjes së tyre. Departamenti i Shtetit po ndërmerr gjithashtu hapa të mëtejshëm për të vendosur kufizime të vizave për dhjetëra individë në përputhje me politikat e shumta sipas seksionit 212(a)(3)(C) të Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë.