Dash Sula publikon të dhënat e OKB: Çmimet e ushqimeve kanë rënë në tregun ndërkombëtar, në Shqipëri mbeten të larta

Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula thotë se në tregun ndërkombëtar çmimet e ushqimeve janë ulur por kjo nuk reflektohet në Shqipëri.

Deklarata e plotë e Dashnor Sulës

Pse nuk funksionon Autoriteti per Mbrojtjen e Konsumatorit te ulë çmimet?

Për shkak të pandemisë, por edhe më shumë pas luftës në Ukrainë, çmimet e produkteve bazë të ushqimeve pësuan një rritje të madhe. Në disa raste si me vajin, miellin etj, çmimet edhe u dyfishuan. Qeveria shqiptare nuk mori asnjë masë për tu ardhur në ndihmë qytetarëve të saj për të zbutur sadopak këtë efekt.

Por sipas një raporti të fundit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, indeksi standard i çmimeve ndërkombëtare të produkteve ushqimore ra për të 11-tin muaj radhazi në Shkurt 2023. Pra në 11 muajt e fundit çmimet e ushqimeve bazë vetëm se janë ulur, por jo në Shqipëri.

Indeksi i Çmimeve të Ushqimit të ishte mesatarisht 129.8 pikë në Shkurt, me rënie 0,6% nga Janari 2023 dhe rënie 18,7% nga kulmi i saj në Mars 2022.

Rënia e çmimeve në tregun ndërkombëtarë është e theksuar. Por pse nuk ndodh kjo në Shqipëri?

Përse nuk ndërhynë autoriteti për mbrojtjen e konsumatorit?

Mirë që kur qytetarët kishin aq shumë nevojë, qeveria nuk uli asnjë taksë, po tani që çmimet në tregun ndërkombëtarë kanë rënë, përse në Shqipëri nuk ulen çmimet?

Neglizhenca e qëllimshme e organeve shtetërore ka bërë që siç konfirmoi Ministria e Financave të ulet ndjeshëm konsumi. Që shqiptarët të mos blejnë mjaftueshëm ushqime.

E them neglizhencë e qëllimshme sepse autoritetet përkatëse nuk hynë qëllimisht. Sepse duke mbajtur çmimet e larta, të ardhurat që shteti mbledh në buxhet prej TVSH-së por jo vetëm janë shumë herë më shumë.

E thënë thjeshtë: çmimet janë ulur por qeverisë i intereson që ti mbaj të larta sepse në këtë mënyrë u merr më shumë para nga xhepi qytetarëve. Ua merr përmes taksave të larta që vendos dhe me çmime të ushqimeve të larta. Taksat bëhen edhe më të shtrenjta. Praktikisht edhe ajo që po propagandon kryeministri për rritje page nuk është e vërtetë. Nuk po ju rriten pagat por po ju kthen paratë që ju ka marrë padrejtësisht nga xhepi, madje shumë herë më pak.

500 milionë euro më shume mblodhi në 2022 shteti nga TVSH për shkak të rritjes së çmimeve, ndërsa ajo që ju kthen ju është vetëm 120 milionë euro. Kaq është fondi shtesë për pagat nga rritja që propagandohet. 380 milionë euro të tjera shpërndahen mes 10 vetave në qeveri dhe klientët e tyre.

 

SHKARKO APP