DASH thotë se Shqipëria është bazë e trafikut të drogës, ministri Çuçi: Kokaina e kapur në Durrës, dëshmi e punës

Për Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria shërben si bazë për grupet e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të cilat e përdorin edhe si nyje kryesore për të kaluar drejt vendeve europiane. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, thotë se rritja e sasisë së kokainës të kapur nga autoritetet shqiptare në Portin e Durrësit gjatë vitit 2021 dhe pjësemarrja e Policisë së Shtetit në operacione të përbashkëta ndërkombëtare, janë tregues të rëndësishëm që dëshmojnë efikasitetin e punës së strukturave tona dhe besimin e rritur te Policia e Shtetit.

Postimi i plotë

Rritja e sasisë së kokainës të kapur gjatë vitit 2021 në Portin e Durrësit falë punës së Policisë së Shtetit është një tregues domethënës i efikasitetit tonë në luftën e vazhdueshme kundër grupeve kriminale në fushën e narkotikëve.

Ky fakt është evidentuar edhe në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku vlerësohej gjithashtu pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në operacione të përbashkëta ndërkombëtare për të goditur trafikun dhe sekuestruar asetet e paligjshme.

Këto dy të dhëna kuptimplote dëshmojnë se puna e Policisë së Shtetit dhe besimi tek kjo strukturë janë ngritur në një tjetër nivel. Mbetemi të përkushtuar për thellimin e rezultateve përmes shkëmbimit të informacionit dhe operacioneve të tjera të përbashkëta.

SHKARKO APP