Dasho Aliko denoncon punësimet për fushatë të PS në Gjirokastër, vetëm te Tatimet 15 të punësuar

PD Gjirokastër denoncon një akt të papërgjegjshëm të ndërmarrë nga Drejtoria Rajonale Tatimore, që sipas saj  është shndërruar në mashë të Rilindjes.

“Është bërë publik punësimi me kontratë të pjesshme të 15 punonjësve të rinj pranë këtij institucioni të cilët do të jenë mbështetës në terren për veprimtarinë e gjobvënies ndaj bizneseve që operojnë në rajonin jugor” thuhet në deklaratë.

Kryetari i PD Gjirokaster, Dasho Aliko, reagon me shqetësim lidhur me punësimet e paligjshme që po ndërmerr Partia Socialiste në Gjirokastër në institucionet që ajo drejton dhe veçanërisht në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve.

Sipas PD, gjatë ditëve të fundit vetëm në këtë drejtori janë punësuar 15 punonjës me kontrata 6-mujore.

“Një veprim i tillë ndërmerret vetëm gjashtë muaj përpara zgjedhjeve parlamentare dhe përkthehet si një mjet i hapur dhe i dukshëm i tentativave për të manipuluar dhe influencuar votën e zgjedhësve në rajonin e Gjirokastrës. Ky nuk është institucioni i vetëm në Gjirokastër që ndodh një fenomen i tillë pasi edhe në Spitalin Rajonal po angazhohen militantë të Rilindjes për të dalë në terren në kompensim të marrjes së votave përmes mashtrimit dhe sigurisht kundrejt një rroge që do t’u bjerë nesër boomerang. Këto punësime provizore ndërmerren pak muaj përpara celjes së fushatës elektorale dhe vetëm e vetëm me qëllime të pastra elektorale”.

Partia Demokratike Gjirokastër denoncon “këtë metodë të jashtëligjshme dhe i bën thirrje qytetarëve të Gjirokastrës të mos bien pre e manipulimeve për qëllime elektorale me autorë deputetët e PS të cilët orientojnë me çdo metodë votën përmes veprimeve të tilla dinake. PD Gjirokastër do të sjellë me fakte në vazhdim, metodat e ndërmarra nga drejtorët rajonalë të Rilindjes dhe direktivat që ata marrin prej deputetëve të këtij sekti, për punësimet sezonale të militantëve të tyre”.

Sipas Alikos, këto veprime arbitrare, nuk e shpëtojnë dot Rilindjen nga humbja katastrofale që e pret në Qarkun e Gjirokastrës.

SHKARKO APP