DASHURI IDEALE- nga Dea Toçi
Nga Dea Toçi-
DASHURI IDEALE
Dashuritë ideale janë ato që nuk jetohen,
peshën e gabimeve nuk arrijnë ta njohin,
dashuritë e mëdha në ëndrra takohen
të metat njëri-tjetrit dot nuk ia shohin.
Dashuritë ideale mbeten në kërkim,
jetën do jepnin të takoheshin në këtë botë,
por befas sapo gjehen nuk quhen dashuri…
Hapin njëri-tjetrit nuk ia ndoqën dot.
Kështu justifikohen dashuritë që u takuan
dhe kopshtet me lule i kthyen në malore,
në ngjitjen e tyre të dy ata gabuan,
rrugën e bënë të ndarë e jo dorë për dore.
ÇELSI I KOHËS
Çelsin e kohës do doja në duar
por sot, tani, mos të pres më gjatë,
të kthehem dhe njëherë në kohën e shkuar,
jeta t’më japë “Rivendosje në afat”.
Të kthehem pas me krejt ç’kam jetuar
sfida, dështime, humbje e pasiguri,
rropatje tentativash prej nisjes dështuar,
por kurrë kokëpërulur, as rob në liri.
Çelsi i kohës t’më kthejë në vegjëli
atje ku asgjë s’dhemb e as vret,
ku shpirti fluturon çdo çast në liri
se s’di ç’do jetojë, nuk di se ç’e pret.
Të kthehem dhe njëherë pa ndjerë fundin,
mëngjesi i ri çdo herë pa pengje niste,
ku ëndrrat syhapur çdo natë vidhnin gjumin,
jo gjumin ta lusje një ëndërr të të sillte.
Më ktheni dhe njëherë tek vajza e vogël
të fshij çdo plagë që shpirti mban mbuluar,
e sigurt më e fortë do i kthehesha botës…
Çelsin e kohës po ta kisha në duar.
26/10/2022