Dashuria e ndaluar, gruaja pranon lidhjen me kolegun te ERE
Një dashuri e ndaluar, një marrëdhënie jashtëmartesore, po çon në viktimë. Efektivi 46-vjeçar Erjon Goxhara, vijon të jetë në arrati. Goxhara lëshoi 6 plumba ndaj Lorenc Kostës, 45-vjeçarit i cili kishte lidhje me gruan e policit, fakt i pranuar nga bashkëshortja pasi është marrë në pyetje nga hetuesit, siç shkruan ”Report Tv”.
Historia jashtëmartesore duket se ka marrë jetë në ambientet e punës, pasi Kosta është inxhinier elektrik te Enti Rregullator i Energjisë, i njëjti institucion shtetëror, ku punon juriste edhe bashkëshortja e efektivit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të 19 gushtit. Efektivi ka vepruar me gjakftohtësi për të plagosur Lorenc Kostën. Ky i fundit ka qenë duke ecur në këmbë në afërsi të kompleksit ‘Kika2’, ndërsa efektivi i policisë ka qenë me makinë. Efektivi ka ndaluar dhe e ka qëlluar duke e lënë të plagosur. Pas kësaj i ka bërë foto të plagosuri, i cili ishte i shtrirë në trotuar dhe i mbuluar me gjak.
Pas ngjarjes Goxhara është larguar me mjetin e tij në drejtim të banesës së tij, ka marrë një çantë me vete dhe menjëherë është larguar. Dyshohet se ai është larguar drejt Dajtit, ku edhe janë përqendruar kërkimet e policisë.