Dasma zgjat 5 ditë, enigmë vdekja e nuses. Pistat ku po hetohet ngjarja
Zbukurimet e dasmës janë ende në shtëpi, paja ende e pa hapur pasi çifti ishte martuar të dielën por dashuria e tyre zgjati vetëm 5 ditë. Nga gëzimi, familja Hajdari nga fshati Xhyrë i Librazhdit është në zi. Olsian Hajdari dhe Rezarta Hajdari nga 27 dhe 19-vjeç, dyshohet se janë helmuar me fostoksinë e për pasojë ka ndërruar jetë 19-vjeçarja. Në fillim u dyshua se çifti është vetëhelmuar nga rrethana ende të paqarta, por një nga pistat që po heton polica është edhe ajo e një helmimi të mundshëm nga ndonjë person tjerër. Për këtë arsye policia po merr në pyetje familjarë, të afërm e persona të tjerë që kanë lidhje me çiftin. 27-vjeçari vijon të jetë i shtruar në spitalin e Librazhdit. Ata janë gjetur të shtrirë në dhomën e gjumit nga nëna e djalit. Prindërit e çiftit janë shprehur para policisë se dy të rinjtë nuk kishin asnjë konflikt të mundshëm mes tyre, apo persona të tretë.
Një fqinjë e çiftit ka treguar se çfarë ka parë në momentin që ka hyrë në banesën e Olsit dhe Rezarta Hajdarit dhe i ka gjetur të helmuar. Në një prononcim për mediat, e moshuara shprehet se ka thirrur të ndjerën por që ajo nuk merrte më frymë. “Unë qava e para se më thirri kjo mua. Eja tha se çfarë më ka ndodhur. I thashë çfarë të gjeti moj bijë. Çunin nuk e parashikova dot se u mora me nusën. Oj Rezarta, oj Rezarta, thirr, thirr, e fërkova tek gjoksi, por ajo hiç. Shkonin shumë si çift, aq shumë sa s’di ç’të them. Dashuria e tepërt qenka”. Ndërsa një tjetër fqinj shprehet se nuk di asnjë detaj tjetër por që thjesht ka dëgjuar që dyshja kanë ikur në spital. “Na thanë që kanë ikur në spital. S’e dimë”,-tregon ai më tej.
Vetëflijim apo vrasje, mbetet ende e paqartë, pavarësisht njoftimit paraprak të policisë që flet për një akt ekstrem nga të rinjtë. Dyshimet i shtoi vëllai i të 19-vjeçares ku nga spitali i Elbasanit ngriti kujën dhe akuza se “e vranë në një derë të mallkuar”. Në kuadër të hetimit, policia ka marrë në pyetje edhe prindërit e 27-vjeçarit Hajdari në fshatin Xhyrë. Ata kanë rrëfyer se nuk kishin kuptuar për probleme mes çiftit të ri para e pas martesës që u bë vetëm javën e kaluar. Këtë qëndrim e përsëriti edhe tezja e Olsi Hajdarit teksa i qëndron 27-vjeçarit në kokë në spitalin e Elbasanit. Misteri mbetet edhe lënda e përdorur. Mjekët e Elbasanit që trajtojnë 27-vjeçarin ende nuk e kanë përcaktuar. Ndërsa policia që ka nisur hetimet për historinë tragjike por të mbushur me të panjohura presin përmirësimin e gjendjes shëndetësore të Olsi Hajdarit për të mësuar të vërtetën e asaj që ndodhi mes çiftit që martesa i zgjati vetëm 5 ditë.