Dasmat s’ndalen. Skemat sesi korruptohet policia shqiptare
Shqipëria po përballet me klimë të egër nga Covid-19. Dasmat, fejesat apo gostitë ndalohen, por kjo nuk i ka penguar shumë administratorë lokalesh dhe çifte të reja, të ecin me planet e tyre. Shumë prej rasteve me Covid-19 të zbuluara kohët e fundit kanë qenë mysafirë nëpër dasma dhe festa të tjera familjare.
Njëra prej tyre, një 32-vjeçare nga Shkodra ndërroi jetë disa muaj më parë pasi kishte marrë pjesë në një dasmë, ndërsa një 45-vjeçar nga Tirana ndërroi jetë pasi u infektua në një festë në Durrës. As rritja e numrit të të infektuarve nuk i ka bindur qytetarët të shmangin dasmat dhe ceremonitë e tjera; ata duket se ua “kanë gjetur anën” edhe autoriteteve policore.
Paçka se policia ka ndëshkuar me 10 milionë lekë gjobë disa pronarë lokalesh në Durrës, Lezhë dhe Tiranë, shumë janë mbajtur dhe duket se do të vazhdojnë të mbahen gjatë gushtit dhe më tej. Kjo është skemë që po përdoret në të gjithë vendin; bashkëpuno me policinë dhe vijo ahengun familjar i qetë.