David Allen: Mësoni artin e vlerësimit të pasurive dhe certifikohuni në kursin e Universitetit Metropolitan Tirana

Vlerësuesi i mirënjohur i pasurive të paluajtshme në Europë, britaniku Allen tregon pse duhet ndjekur kursi që ai drejton në UMT, që fillon me 13 mars dhe zgjat 20 javë.

David Allen është vlerësues i pasurive të paluajtshme në Britaninë e Madhe dhe njëkohësisht anëtar i RICS (Shoqata Mbretërore Britanike e vlerësuesve të çertifikuar). Në fillim të viteve 90 ishte i pari që solli në Shqipëri shkencën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme (shkencën për Real Estate). David Allen gjendet vazhdimisht në kontakt me Shqipërinë dhe prej disa vitesh është dhe Drejtor shkencor dhe udhëheq “Kursin e vlerësimit dhe investimit në pasuritë e paluajtëshme” që organizon Universiteti Metropolitan Tirana. Në prag të fillimit të ciklit të ri të studimeve në “Kursin e vlerësimit dhe investimit në pasuritë e paluajtshme” në Universitetin Metropolitan Tirana, David Allen sqaron këtë intervistë rëndësinë e këtij kursi dhe përfitimet që marrin ata që e ndjekin.

Pyetje: Z.Allen, ju jeni i pari që sollët në Shqipëri shkencën mbi vlerësimin e pasurive të paluajtshme, që prej vitit të largët 1990. Si e vlerësoni progresin në fushën e real estate në Shqipëri?

David Allen: E gjithë panorama që lidhet me pasuritë e paluajtshme në Shqipëri ka ndryshuar shumë që prej asaj kohe, me një masë të madhe ndërtimesh, për shkak të lëvizjes së banorëve dhe investimeve. Në të njëjtën kohë, ka shumë rrugë për të bërë drejt një tregu evropian të pasurive të paluajtëshme, duhet bërë shumë akoma.  Rrjedhimisht profesioni i “Vlerësuesit” që përfshin edhe “Këshilluesin e Investimeve” në këtë fushë, është akoma në periudhën e zhvillimit.

Pyetje: Ju jeni Drejtor shkencor dhe udhëhiqni prej disa vitesh “Kursin e vlerësimit dhe investimit në pasuritë e paluajtshme” që organizon Universiteti Metropolitan Tirana. Mendoni se kursi në fjalë sjell në Shqipëri progresin dhe të rejat e kësaj shkence nga bota?

David Allen:  Edhe pse Shqipëria mbetet prapa përsa i përket tregut të investimeve në pasuritë e paluajtshme, qëllimi i kursit është të ofrojë një perspektivë të plotë për atë që po ndodh në të gjithë botën dhe ti përçojë këto ide tek studentët dhe tek kursantet për t’i pergatitur për të ardhmen. Ne sjellim shumë shembuj se si tregu i investimeve të pasurive të paluajtshme vepron në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Studentët nxiten që të hulumtojnë edhe më tej.

Pyetje: Z.Allen, një specialist që ka zhvilluar kursin në fjalë, a i ka njohuritë e duhura për të bërë vlerësime të plota të pasurive të paluajtshme?

David Allen: Ne sigurojmë mjetet dhe informacionin bazë si dhe teknikat për të bërë vlerësimin. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet eksperiencës, duke vepruar në një mjedis vlerësuesish, realizohet praktika e vertetë e artit të vlerësimit. Të mos harojmë se vlerësuesi është në një rrugë të vazhdueshme kualifikimi dhe zhvillimi profesional.

Pyetje: Në Shqipëri në praktikën e investimeve po aplikohet edhe skema e partneritetit të sektorit privat me atë publik. A mendoni se një specilalist i vlerësimit të pasurive të paluajtshme mund të kontribuojë në këtë  bashkëpunim nga cilado anë qoftë?

David Allen: Qëllimi ynë është që një vlerësues i pasurive të palujtshme të jetë një specialist me të gjitha aftësitë dhe njohuritë rreth investimit dhe jo një person i cili shënon një numër në një pjesë të pasurisë. Kështu po, besoj se vlerësuesi i pasurive të paluajtshme mund të japë kontribut dhe për këtë proces.

Pyetje: Në Shqipëri vazhdon procesi i privatizimeve të aseteve publike. A mendoni se një specialist i vlerësimit të pasurive të paluajtshme është i vlefshëm gjatë këtij procesi?

David Allen: Vlerësuesi i pasurive të paluajtshme mund të sigurojë që vlera bazë e aseteve të llogaritet në mënyrë korrekte dhe kështu çmimi i aseteve të vlerësuara të përcaktohet saktë.

Pyetje: Vendosja e taksës mbi pasuritë e paluajtshme, nga përvoja juaj, a do të sjellë ndryshime në tregun e pasurive të paluajtshme?

David Allen: Taksa e pasurisë së paluajtshme është një tipar i pothuajse të gjitha ekonomive ndërkombëtare dhe sigurisht dhe të atyre europiane. Në varësi të hollësive të formulimit të taksës, brenda legjislacionit në fuqi, do të varet mënyra se si do të ndikohet mbi tregun e pasurive të paluajtshme. Shpesh herë, qeveritë, përdorin taksën mbi pasurinë e paluajtshme, në mënyrë që të ndikojnë mbi tregun e pasurive të paluajtshme, dhe kjo kthehet në primare duke kaluar në rend të dytë rritja e të ardhurave nga kjo taksë.

Pyetje: Specialistët e real estate a mund dhe a duhet të ftohen të thonë fjalën e tyre në përcaktimin e masës së detyrimeve taksore për pasuritë e paluajtshme?

David Allen: Bazuar në faktin se, vlerësuesit e pasurive të paluajtshme janë ekspertë në këtë fushë, duket e papërshtatshme të mos kenë kontributin e tyre, sidomos kur dihet që do të jenë ata që do ta bëjnë vlerësimin.

Pyetje:  Cilët janë faktorët që do të rigjallërojnë tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri?

David Allen: Tregu i pasurive të paluajtshme është i lidhur drejpërdrejtë me investimet e përgjithshme dhe ekonominë në Shqipëri dhe rajon. Kur të përmirësohen këto të fundit do të këtë një gjallërim në aspektin afatgjatë.

Pyetje:  Cili është opinioni juaj për të ardhmen e tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri.

David Allen: Tregu i pasurive të paluajtshme është një komponent themelor brenda çdo ekonomie dhe zhvillimi pozitiv i tij është vendimtar për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe progresin. Shpresohet që tregu i pasurive të paluajtshme të zhvillohet, të përmirësohet në përgjithësi investimi në tregun e pasurive të paluajtshme.

Pyetje: Mendoni se është e rëndësishme për tregun, çertifikimi dhe formalizimi i vlerësuesve të pasurive të paluajtshme nëpërmjet këtij kursi?

David Allen: Po. Eshtë e rëndësishme për klientët dhe përdoruesit e raporteve të vlerësimit të kuptojnë se vlerësuesit e çertifikuar kanë një edukim standard, dhe ushtrojnë profesionin e tyre në përputhje me rregulloret dhe dhe standardet rigorozisht profesionale. Klientët duhet të kenë besim te këta vlerësues dhe tek  këshillat që ata japin.

SHKARKO APP