Debate te “Ekonomia”- Ahmetaj: Borxhi brenda objektivit. KLSH: S’është 70, por 72%
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka diskutuar buxhetin faktit të vitit 2017. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj e ka vendosur ndër të tjera theksin te borxhi publik, që sipas tij në vitin 2017 ka një rënie me 2 për qind dhe nga 72.3 për qind ky borxh ra në 70.1 për qind.
“Në vitin 2017 shënuam një ulje të borxhit publik. Ekonomia shqiptare performoi mjaft mirë, rritja ka qenë 3.84% nga 3.4% në vitin 2016. Buxheti duhet të ulet deri në nivelin 45%. Viti 2017 ishte elektoral dhe pati edhe një specifikë, qeverinë teknike dhe e bënë që të ishte test real për financat publike dhe perspektivën e qëndrueshmërisë së tyre. Qeveria nuk krijoi borxh të ri. Shifrat janë në përputhshmëri të plotë me ligjin dhe me detyrimet që Parlamenti i ka vendosur qeverisë. Në vitin 2017 treguesi i borxhit publik ka një rënie me 2 për qind dhe nga 72.3 për qind ky borxh ra në 70.1 për qind”- tha ministri Ahmetaj.
Në komision nuk ishte i pranishëm Bujar Leskaj, kjo për arsye se i mbaron mandati, ndërsa institucioni është përfaqësuar nga Manjola Naço, drejtoreshë në KLSH, e cila u shpreh se vlera e detyrimeve të prapambetura nuk është raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, çka do të sillte një deficit mbi 2% të PBB.
“Disa tendera kanë nevojë për investigim. Kanë mbetur pa likuiduar një stok i likuidimit të TVSH. Megjithëse janë miratuar stoku i TVSH-ve nuk rezulton në tatime. Ka rrezik për rimbursimin e TVSH-së në investimet në energji. Vendimet gjyqësore nuk reflektohen si borxh. Raporti i borxhit është ende larg. Stoku i borxhit paraqitet i nënvlerësuar. Vlera e detyrimeve të prapambetura, si shpenzim i konstatuar, nuk është raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, çka do të sillte një deficit mbi 2% të PBB, por është raportuar si shpenzim i periudhave të ardhshme. Nëse merren në konsideratë këto detyrime, stoku i borxhit publik të raportuar, nga 1,088 miliardë lekë, do të ishte në rreth 1,104 miliardë lekë, i cili në raport me PBB do të jepte një tregues të borxhit në nivelin mbi 71%. Nëse marrim në konsideratë edhe shlyerjen e stokut të rimbursimit të TVSH në vlerë 11 miliardë lekë borxhi publik do të jepte një tregues në nivelin 72% të PBB”- deklaroi drejtoresha në KLSH, Manjola Naço.
KOHA JONË SONDAZH

