DEBATET/ Pse u shty diskutimi i buxhetit të SHISH në Kuvend, Naço miraton kërkesën e demokratit

Është shoqëruar me debate të forta mbledhja e Komisionit të Sigurisë, ku do të diskutohej buxheti për Shërbimin Informativ Shtetëror. Ka qenë mosprezenca e Drejtoresh së SHISH Vlora Hyseni ajo që ngjalli debate, pasi deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferaj kërkoi shtyrjen e seancës me argumentin se SHISH duhej të prezantohej në një nivel më të lartë dhe jo drejtore drejtorish.

“Kjo që po kërkoj unë ka të bëjë me dinjitetin e institucionit. Drejtorja e SHISH pothuajse e ka anashkaluar Kuvendin që prej momentit kur është emëruar. Komisioni për Sigurinë Kombëtare është i vetmi institucion që mbikëqyr SHISH-in dhe ky institucion duhet të japë llogari përballë Kuvendit, pra këtij komisioni.

Shërbimet kudo në botë, janë të ndërtuara në mënyrë të atillë, që lëvizin në një kufi të hollë mes legjitimitetit dhe ilegjitimitetit, dhe duke qenë se ky është i vetmi komisioni që mbikëqyr punën e SHISH, duhet pra që të raportohet para këtij komisioni.

Prandaj unë kërkoj shtyrjen e seancës dhe njoftimin e Drejtores së SHISH të vijë të raportojë para Komisionit të Sigurisë Kombëtare”, tha Xhaferaj, kërkesë e cila u mbështet edhe nga deputetët e maxhorancës, si edhe kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Nasip Naço.

SHKARKO APP