Debati për Kalanë e Lezhës, Aleksandër Meksi: Restaurimi është bërë keq, pllaka u vendos në portën e gabuar

 

Nga Jonida Hitoveizi

Është e vështirë të përcaktohet saktësisht kur dhe kush e ka hedhur gurin e parë në themelet e saj , por ajo që mbetet e pamohueshme është fakti se Kalaja e Lezhës ka origjinë ilire, por veç tyre, aty mund të shihen qartë gjurmët e arkitekturave romake, bizantine dhe osmane.
Kalaja iu nënshtrua rindërtimit venedikas në vitin 1440, ndërsa u rindërtua sërish pas pushtimit Osman në vitin 1522.
Dhe pikërisht rindërtimi i saj pas pushtimit nga Perandoria Osmane, ka qenë fillesa e një debati të gjatë, jo aq shkencor, sesa gjaknxehtësh më tepër, që pa u marrë me asgjë tjetër, ngulën këmbë veç tek fakti pse duhej të rivendosej një pllakë me mbishkrim nga mesjeta, shkruar në osmanisht”, me gjuhë “armiku” në një vend katolik, në një vend me themele ilirësh. Gati askush, nuk e mori rrugën, të shkonte në kala dhe të fliste me gjuhën e ekspertizës.

Profesor Aleksandër Meksi, e ka marrë këtë mundim. Në një speciale për Tema Tv,Meksi, para çdo analize komode nëpër studio televizive, ka zgjedhur të flasë duke parë dhe krahasuar nga afër çfarë është bërë, nisur nga dëshmitë që na ka lënë Ipeni për kalanë dhe portat e saj me fotot e bëra në vitin 1907.

Meksi pohon se porta e brendshme ku është vendosur pllaka me mbishkrimin osman që daton në 1522 është krijuar më vonë, pasi për të nuk ka dëshmi të saktë historike nëse ka qenë atje apo jo. Ajo është krijuar sipas modelit të marrë nga fotot e Ipenit nga porta perëndimore, e cila edhe sot ka mbetur e paprekur.

Jemi para portës së brendshme, që nëse do të shohim me vëmendje do të dallonim që ky është pragu i vjetër i saj, nuk ka dyshime për këtë. Që këto mure përtej kësaj pjese të re të ndërtuar me beton, me çimento të bardhë me harkun etj… Ky është muri i vjetër, pjesërisht shpatulla aty. Kurse pjesa e sipërme është e re, dallohen pjesët e reja nga të vjetra dhe modeli është marrë, me shumë ngjasa, kanë imituar portën perëndimore.

Nuk është për tu habitur që të ketë pllakë tek xhamia, pllakë tek porta tjetër, sende mëse normale që i vinin në atë kohë. Kjo pllakë, nga Ipeni rezulton që nuk ka qenë këtu. Për mendimin tim dhe kjo portë duhet restauruar.
Nëse do të donin të vendosnin një pllakë, kopje do të qe më mirë, kam thënë unë diku, sepse origjinali mund të dëmtohet nga faktorë të natyrës. Ajo është pllakë e rëndësishme, sepse ka një mbishkrim ku flitet për një sulltan, ka një datë të ndërtimit të kalasë prej tij. Nëse do të duam ta restauronin gjithë portën e jashtme, portën e brendshme për t’i dhënë pamjen e dikurshme dhe këto pjesë të shpatullave dhe pjesa mbi të duhet të rirestaurohen. Ajo që quhet restaurim i restaurimit, ose restaurimi i një ndërtimi që nuk ka respektuar format e dikurshme”.

Duke krahasuar dëshmitë historike, me atë çfarë është krijuar sot, profesori pohon se zgjidhja më e rregullt do të ishte një studim i plotë.

"Mund ta krijosh këtë portë nga modeli që kemi, por të kuptohet që është bërë nga ne, me një datë, me teknikë të qartë, por mbasi të kemi bërë një gërmim dhe një studim të plotë, çfarë ka të vjetër këtu poshtë. Kjo do të ishte zgjidhja më e rregullt”, pohon Aleksandër Meksi për debatin, i cili nga pakkush u analizua shkencërisht e nga profesionistë të fushës.

Asnjë tabelë nuk të tregon se cila pjesë e këtyre mureve është restauruar, nga cili ekspert është udhëhequr puna, në ç’farë viti është bërë, apo sipas cilës teknikë. Asgjë! Gjithçka sheh syri i ekspertit është një portë e re…pa asnjë lidhje me të shkuarën.

Kjo është porta(porta lindore e kalasë) që njohim nga fotot e Ipenit nga viti 1907. Dhe identifikimi i saj bëhet duke vrojtuar me vëmendje këtë fragmet të një kulle të vjetër mesjetare, ku është kjo fuga që dallon pjesën e portës nga pjesa e vjetër dhe që ne mund ta krahasojmë në fotografi, që janë të njëjta me atë që na jep Ipeni. Ndërsa gjithë porta, kjo që shohim me sy sot, nuk ka asgjë të përbashkët me portën që na jep Ipeni. Këtu kemi një portë të re, që duhet hetuar se kur është bërë, mund të jetë në vitet 70, mund të jetë bërë dhe njëherë më përpara apo më mbrapa, por që ka ndjekur një model të thjeshtë të portës dhe kanë menduar se pllaka do të ketë qenë në portën e brendshme dhe kanë krijuar portën e brendshme të njëjtë me portën perëndimore. Po të shihet me vëmendje, këtu kuptohet që nuk është asnjë nga strukturat e vjetra, nuk ka bazament të vjetër porta, shpatullat e portës janë bërë me gurë të vegjël, që normalisht s’ka porta me gurë të vegjël", na shpjegon profesor Meksi.

Pyetjes sesi duhet bërë restaurimi pas problemeve të evidentuara me gurët apo materialin e përdorur profesor Meksi thotë:

“Do një dëshmi historike të rregullt. Por do dhe konfrontimimin me gjurmët tek monumenti,jo të krijosh diçka që s’ka qenë nënë pretkestin e jetërsimit. Ky është një monument i vizitueshëm, mund ta krijosh këtëportë nga modeli që kemi, por të kuptohet që është bërë nga ne, me një datë, me teknikë të qartë, por mbasi të kemi bërë një gërmim dhe një studim të plotë, çfarë ka të vjetër këtu poshtë. Kjo do të ishte zgjidhja më e rregullt.

Profesor Aleksandër Meksi, me fotot e vjetra të kalasë që mban me vete, konstaton se restaurimi i portës ku ishte vendosur pallaka me mbishkrim otoman, është marrë nga porta perëndimore e kalasë.

Shtysa për të shkuar në Kalanë e Lezhës erdhi nga kjo fjali e shkruar në osmanisht në pllakën që tani nuk është më. “Sulltan Sulejmani, djali i Selimit, djali i Bajazid Hanit ka ndërtuar këtë kështjellë të bekuar.
Zoti e përjetësoftë sundimin e tij dhe ia zgjattë jetën. Me ndihmën e Dervish Muhamedit, djalit të Skurës në periudhën….Fisnike dhe e fortë është kështjella e Sulejmanit. Viti 928.(= 1522)

Po ne sot, ne pasardhësit e ilirëve, ne shqiptarët që jemi nisur për në Europë, ç’mbishkrime, ç’vepër restaurimi, çfarë gjurme po lëmë sot në muret e kalasë për ta ruajtur atë nga koha, tani që pushtues nuk ka më! (Marrë nga TEMATV )

Për të parë videon klikoni KETU

 

SHKARKO APP